Qeveria e Kosovës, e cila zhvilloi sonte një mbledhje të jashtëzakonshme pas dhënies së propozimit të presidentit Ahtisari, e përshëndeti ardhjen e presidentit Ahtisari dhe sjelljen e propozimit të tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës. "Ky është një mesazh i mirë për qytetarët e Kosovës dhe dëshmi se bashkësia ndërkombëtare është e përkushtuar dhe e vendosur që të zgjidhë pa vonesa statusin e Kosovës", -tha qeveria, duke falenderuar presidentin Ahtisari dhe zyrën e tij për angazhimin dhe punën serioze që ka bërë në hartimin e këtij propozimi. Qeveria njoftoi gjithashtu se të hënën në Prishtinë do të jetë edhe i dërguari amerikan për statusin, ambasadori Frank Uizner, i cili do të takohet edhe me Kryeministrin Çeku.
I dërguari i posaçëm amerikan për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Uizner, do të jetë në Prishtinë të hënën, ku do të takohet me zyrtarët e lartë vendas, përfshi kryeministrin e Kosovës Agim Çeku. Qeveria e Kosovës, e cila zhvilloi sonte një mbledhje të jashtëzakonshme pas dhënies së propozimit të presidentit Ahtisari, e përshëndeti ardhjen e presidentit Ahtisari dhe sjelljen e propozimit të tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
"Ky është një mesazh i mirë për qytetarët e Kosovës dhe dëshmi se bashkësia ndërkombëtare është e përkushtuar dhe e vendosur që të zgjidhë pa vonesa statusin e Kosovës", - tha qeveria, duke falenderuar presidentin Ahtisari dhe zyrën e tij për angazhimin dhe punën serioze që ka bërë në hartimin e këtij propozimi.
Propozimi i Ahtisarit e qartëson edhe më shumë të ardhmen e Kosovës dhe hap rrugën drejt pavarësisë, tha qeveria. Qeveria tha se do ta shqyrtojë me vëmendje këtë propozim dhe në kuadër të Grupit të Unitetit, në javët në vazhdim do të ofrojë komente dhe sugjerime të vlefshme, në mënyrë që dokumenti, i cili do t’i prezantohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të pasqyrojë në tërësi vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës është e bindur se ky proces do të kurorëzohet me realizimin e aspiratës së popullit për shtet sovran dhe të pavarur, si dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve, që të kenë besim në këtë proces dhe të vazhdojnë të kontribuojnë në arritjen e këtij qëllimi.
Kryeministri Çeku ka konfirmuar pjesëmarrjen në konsultimet e 13 shkurtit në Vjenë dhe ka pohuar se Prishtina do të paraqesë disa vërejtje që kanë të bëjnë me pjesën e propozimit për fushën e sigurisë. Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të kenë besim në këtë proces.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kolë Berisha, po ashtu bëri të ditur se deputetëve të Parlamentit tashmë ka filluar t’u shpërndahet kopja e Dokumentit që e solli Presidenti Ahtisari, fillimisht në gjuhën angleze, ndërsa menjëherë pas përkthimit edhe në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe.
Shpërndarja do të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, por më së largu deri ditën e hënë, kur të gjithë deputetët do ta kenë në dorë këtë dokument në gjuhët e tyre, në mënyrë që të kenë mundësi ta lexojnë, analizojnë dhe të bëjnë komentet e tyre, theksohet në komunikatën e kryetarit të parlamentit, Kolë Berisha.
Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha sot se tashmë ka filluar faza përfundimtare për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
“Është e rëndësishme që Grupi i Unitetit e ka pranuar dokumentin për ta shqyrtuar dhe për të përcaktuar agjendën e veprimeve të ardhshme në funksion të finalizimit të procesit të shtetësisë së Kosovës. AAK do të përkrahë Grupin e Unitetit në ofrimin e komenteve të nevojshëm në afat sa më të shkurtë, në mënyrë që ti përgjigjemi kërkesave të Presidentin Ahtisaari”, - tha kjo parti.
Kryesia e Partisë Reformiste ORA tha se do të shqyrtojë me kujdes propozimet e paraqitura në pakon e Presidentit Ahtissaari dhe përmes përfaqësuesve të saj do të jape komentet dhe përgjigjet e duhura në kuadër të Grupit të Unitetit. Kryesia e ORA-s është e bindur se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës është proces delikat, i cili duhet vazhdohet në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, partneritet i cili do të kurorëzojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, për shtet të pavarur.
Pakoja te cilën e ka dorëzuar zoti Ahtisaari përmban elemente të cilat e përshkruajnë shtetin e ri që po lind, tha kjo parti duke theksuar se është çështje e partneritetit të përbashkët kosovarë dhe të bashkësisë ndërkombëtare që në javët dhe muajt që vijnë ta pagëzojnë këtë pako me emrin e vet të plotë, me atë të pavarësisë.
Po sonte, Insituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave, KIPRED, ka njoftuar hapjen e një debati për paketën e zotit Ahtisari, me pyetjet:
Çfarë do të ndodhë pasi Ahtisaari e solli dokumentin e tij në Kosovë?
Cili do të jetë reagimi i Ekipit të Unitetit, shqiptarëve, serbëve dhe grupeve të tjera gjatë ditëve në vijim?
Cili do te duhej të jetë reagimi i institucioneve dhe qytetarëve?
A është propozimi i Ahtisaar-it pasqyrim i aspiratave për pavarësi, apo shënon vazhdimësi të dy-kuptimësisë në një paketim të ri?