Amerika dhe çuditërisht një pjesë e madhe e botës zhyten para televizorëve për të parë Super Bowlin të djelën për finalen e kampionatit kombëtar të futbollit amerikan. Ndeshja këtë të djelë në Miami të Floridas është pika më e lartë e sezonit për skuadrat profesioniste që luajnë futboll amerikan, po është gjithashtu një ngjarje komerciale disa miliarda dollarëshe.
Super Bowli është si një ditë feste në Shtetet e Bashkuara. Jo festë zyrtare sigurisht, por shumë aktivitete në mbarë vendin ndërpriten kur në jug të Floridas fillon ndeshja finale e kampionatiti të futbollit amerikan. Këtë vit Super Bowli vë përballë Indianapolis Colts kundër Chicago Bears.
Për 40 vjet, loja është bërë pjesë e rëndësishme e kalendarit sportiv amerikan.... ajo sjell pranë fqinj e shokë... dhe sigurisht pazare të mëdha. Miliona amerikanë më shumë se kurrë më parë, ndjekin ndeshjen e madhe në restorante dhe bare ose do të organizojnë mbrëmje me këtë rast. Dhe mbi një milion konsumatorë po blejnë televizorë të mëdhenj për ta parë ndeshjen më mirë. Kjo do të sjellë qarkullimin e shumë parave. Federata Kombëtare e Shitjeve me Pakicë thotë se gati 9 miliardë dollarë do të harxhohen për mallra që lidhen me Super Bowlin.
Por ky kampionat nuk është më një ngjarje vetëm për amerikanët. Vitin e kaluar gati një miliard njerëz në mbarë botën ndoqën ndeshjen. Duke marrë shkas nga teknologjia e lartë, këtë vit Super Bowli do të transmetohet në format televiziv me qartësi të lartë.
Chuck Sanders, është manaxher në Best Buy, dyqan elektronik në Washington: "Është sinjal i një qartësie të lartë përkundrejt atij standart. Praktikisht merr një figurë më të qartë më të pastërt sesa ajo që sheh në formatet standarte. Dhe mënyra më e mirë për të marrë efektin e plotë të transmetimeve të tilla është t’i shohën ato në televizion me qartësi të lartë – më të mëdhenj, më të mirë dhe mundësisht me ekran të sheshtë."
Shitës si Abbey Giewa, në dyqanin Microcenter në Washington presin që shitjet e televizorëve HDTV të rriten. "Sigurisht, njerëzit duan të ndajnë me miqtë e tyre këtë eksperiencë. Duan ta shohin ndjeshjen në ekranë të mëdhenj në mbrëmjet që organizojnë për Super Bowlin. Është mundësi për të gjithë të argëtojnë. Njerëzit vijnë e kërkojnë të blejnë tani televizorë më shumë se në çdo kohë tjetër të vitit."
Që nga vitet ’60 kur filloi Super Bowli, ndeshja u bë gjithashtu një ngjarje historike e vitit edhe për median, me reklama të reja dhe një program të pasur gjatë pushimit me emrat më të shquar të industrisë së argëtimit. Kështu që edhe sikur ndeshja të mos jetë gjë, teleshikuesit veçanërisht ata që kanë televizor HDTV, mund të shijojnë gjërat e tjera tërheqëse që ofron kjo e djelë vërtetë SSSSSuper!