Lidhje

Franca përballë akuzave për tensione racore


Më shumë se gjysma e zezakëve që jetojnë në Francë thonë se ndeshen me diskriminim racial, thuhet në një studim mbi popullsinë me ngjyrë të vendit. Ky përfundim është shqetësues, për një vend, i cili është mburrur për një kohë të gjatë për qëndrimin ndaj të drejtave të njeriut dhe për modelin e tij të veçantë të integrimit të banorëve me ngjyrë në shoqërinë e vendit.

Sipas një studimi të kryer nga agjencia e anketimeve TNS-Sofres, 61 për qind e zezakëve që jetojnë në Francë thonë se kanë përjetuar të paktën një incident racist gjatë vitit të kaluar. Më tepër se 1 në 10 vetë, mes 1 mijë e 300 të anketuarve thanë se kishin qenë shpeshherë objekt i racizmit, që nga sulme fizike, e deri në vështirësi për gjetjen e punës.

Këtë studim e kreu Organizata franceze Këshilli Përfaqësues i Shoqatave të Zezakëve. Presidenti i saj, Patrick Lozes, thotë se gjetjet e studimit janë statistika tronditëse. "Votimet do ta ndryshojnë situatën në Francë. Deri tani, zezakët nuk janë numëruar ndonjëherë. Dhe një popullatë që nuk numërohet bëhet e parëndësishme, thotë Lozes. Zezakët nuk i numërojnë, ngaqë zyra e regjistrimit të popullsisë dhe studime të tjera zyrtare janë ndaluar t’i hartojnë statistikat bazuar tek feja dhe raca."

Por disa ekspertë vlerësojnë se në Francë jetojnë rreth 5 milionë zezakë. Kreu i Lëvizjes kundër Racizmit dhe për Miqësinë mes Njerëzve, Mulud Unit, thotë se nuk çuditet aspak nga përfundimet e studimit. Ai thotë se në jetën e përditshme të Francës racizmi ekziston. Në Senat, në Asamblenë Kombëtare, në këshillat rajonale, thotë ai, nuk ka fare përfaqësim të racave të tjera.

Franca ka këmbëngulur për një kohë të gjatë se të gjithë qytetarët e saj janë të barabartë, sipas motos liri, barazi, vëllazërim. Për këtë arsye, qeveria dhe shumë qytetarë francezë, i kundërshtojnë politikat që favorizojnë pakicat etnike.

Por shumë nga francezët më të varfër, mes tyre shumë afrikanë dhe arabë, jetojnë në banesa mjaft të vjetra madje të rrënuara. Grupet e mbrojtjes së të drejtave të pakicave thonë se këto të fundit rrallëherë gëzojnë mundësi të njëjta arsimimi dhe punësimi, ashtu si francezët e bardhë. Vetëm 10 nga 577 anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Francës janë zezakë.

Zezakët po ashtu nuk përfaqësohen në sektorin privat, ata kanë më pak mundësi të gjejnë punë dhe kur punojnë, i kanë më të pakta shanset për karrierë. Ka disa shenja ndryshimi, për shembull, agjencia kryesore e lajmeve TFI, mori në punë një gazetar zezak verën e kaluar, si spikerin kryesor të televizionit. Por Mulud Uni thotë se këto janë vetëm veprime simbolike: “Problemi nuk qëndron tek të paturit një gazetar zezak në televizion”,- thotë Uni, “por si të sigurosh kushtet që pluralizmi të ekzistojë në të gjithë shtypin dhe në çdo pjesë të shoqërisë franceze”.

Në të kundërt, në Francë ekzistojnë disa prirje shqetësuese. Në një studim të vitit të kaluar, 1 në 3 francezë thanë se janë “pak”, ose “në një farë mase” racistë. Në një tjetër anketim, 13 për qind e të pyeturve thanë se do të preferonin të votonin për udhëheqësin e ekstremit të djathtë, anti-imigrant, Zhan Mari Lë Pen, në zgjedhjet presidenciale të muajit prill. Nëpër rrugët e Parisit, disa zezakë hezituan të intervistoheshin për diskriminimin në jetën e përditshme.

Megjithatë, Franca nuk ka patur kurrë një kandidat presidencial zezak, apo që i përket një tjetër pakice etnike. Megjithatë, a është ky vend i gatshëm për të pranuar një president me ngjyrë? Kryetari i shoqatës së zezakëve Patrick Lozes thotë se mendon që elektorati francez është shumë më i hapur ndaj këtij koncepti, se sa politikanët. Por Mulud Uni, i lëvizjes kundër diskriminimit, nuk është dakord me këtë mendim. Votuesit francezë, thotë Uni, nuk janë aspak gati për të zgjedhur një përfaqësues të pakicave si President. Dhe kjo është për të ardhur keq. //ad//

XS
SM
MD
LG