Kryeministri italian Romano Prodi mbrojti dje politikën e jashtme të qeverisë së tij, përfshirë angazhimin me trupa në Afganistan. Në një fjalim të mbajtur në Senatin italian, zoti Prodi u mundua të bindë senatorët për nevojë e mbijetesës së qeverisë së tij.
Më pak se një javë pasi kryeministri Prodi kërkoi dorëheqjen, ai mbajti një fjalim në dhomën e lartë të parlamentit, duke theksuar nevojën që partitë e koalicionit të qendrës së majtë të respektojnë veprimet e përbashkëta të qeverisë. Kryeministri dha dorëheqjen të mërkurën e kaluar pasi pësoi një humbje të turpshme në Senat për politikën e jashtme, ku përfshihej plani qeveritar për të mbajtur trupat italiane në Afganistan. Atij iu kërkua të qëndrojë në pushtet për të formuar një kabinet të ri.
Në fjalimin e mbrëmshëm zoti Prodi mbrojti politikën e jashtme të Italisë si dhe zotimin e Romës për të dërguar trupa në Afganistan, ku janë dislokuar tashmë 1 mijë e 800 ushtarë. “Qëllimi i pranisë italiane në Afganistan, u shpreh zoti Prodi, është konsolidimi i institucioneve demokratike në atë vend. Ushtarët tanë në Afganistan, ashtu si dhe në misione të tjera, sjellin kulturën e dialogut dhe ndihmës dhe jo të dhunës.”
Zoti Prodi tha gjithashtu se Italia është e vendosur të ruajë të hapura mundësitë e dialogut me Iranin. “Është e vërtetë se veprimet e Teheranit kanë krijuar një situatë të vështirë me bashkësinë ndërkombëtare, por ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për të mënjanuar një konfrontin ushtarak.”
Lidhur me rajonin e Lindjes së Mesme, zoti Prodi tha se qeveria italiane do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet për të bërë të mundur që izraelitët dhe palestinezët të jetojnë në dy shtete, të afta për të bashkë-ekzistuar në paqe dhe siguri, krah-për-krah njëri-tjetrit.
Kryeministri Prodi theksoi gjithashtu se qeveria e tij është munduar të rritë ndikimin në Evropë, ndërkohë që ruan mardhënie të mira me Uashingtonin. Përsa i përket planit të brendëshëm zoti Prodi u zotua për një reformë në sistemin elektoral, që është bërë shkas për një paqëndrueshmëri politike, duke u dhënë shumë influencë partive të vogla. Ai premtoi gjithashtu të ndihmojë familjet dhe të rritë numrin e vendeve të punës.
Sot pasdite në Senatin italian do të votohet për t’i dhënë votëbesimin qeverisë së udhëhequr nga zoti Prodi. Udhëheqësit e partive të qendrës së majtë pohuan se kanë besim se do të fitojnë këtë herë pasi të gjitha partitë e koalicionit riafirmuan besimin për qeverinë. Të gjitha partitë kanë nënshkruar një plan me 12 pika për të cilin kryeministri tha se është i panegociueshëm dhe që do të shërbejë si platforma e qeverisë.
Nëse zoti Prodi fiton votëbesimin në Senat, ai do të paraqitë qeverinë e tij në dhomën e ulët të parlamentit për votëbesim, ku ai ka një shumicë të mjaftueshme. Në qoftë se ai nuk merr votëbesimin e Senatit, qeverisë do t’i duhet të japë dorëheqjen, duke shkaktuar një krizë politike, e cila mund të çonte në krijimin e një koalicioni të gjerë qeveritar, ose në zgjedhje të parakohëshme. //ad//