Lidhje

Zyrtarët e UNMIK-ut shpjegojnë procedurën e hetimeve për protestën


Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë konfirmoi sot se po kërkon dëshmi për një krim të mundshëm që mund të ketë ndodhur brenda disa sekondave gjatë protestës së lëvizjes Vetëvendosje më 10 shkurt, e cila la pas 2 të vdekur dhe dhjetra të plagosur.

Drejtori i departamentit të drejtësisë në UNMIK, Albert Moskovic, tha se kjo do të kërkojë një hetim shumë të kujdesshëm, të thellë dhe të dhimbshëm. Drejtori i departamentit të drejtësisë së UNMIK-ut, Albert Moskovic dhe prokurori ndërkombëtar Robert Dean, që po udhëheq hetimet për ngjarjet e 10 shkurtit, të cilat patën si pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve, shpjeguan sot në Prishtinë procedurën e hetimeve për atë që ndodhi gjatë protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Zoti Moskovic tha se ky është një operacion unik për t’u siguruar që hetimet do të jenë efiçente dhe të pavaruara.

“Po kërkojmë dëshmi për një krim të mundshëm që mund të ketë ndodhur brenda disa sekondave. Kjo do të kërkojë një hetim shumë të kujdesshëm, të thellë dhe të dhimbshëm dhe kjo është ajo që po bëjmë tani”.

Zoti Moskovic premtoi se hetimi do të jetë i drejtë dhe i plotë.

“Kjo do të marrë kohë, sa kohë, nuk mund tua them, ajo që mund të them është se do ti ndjekim dëshmitë kudo që të na çojnë dhe nuk do të lëmë gur pa lëvizur për të ndjekur të vërtetën”.

Ky grup pune po kërkon informacione nga publiku, për këtë gjë është hapur edhe një linjë telefonike, në të cilën qytetarët mund të japin informacione për atë që mund të kenë parë atë ditë. Robert Dean, prokurori ndërkombëtar që po drejton hetimet dhe që ka punuar për 30 vjet si prokuror në Shtetet e Bashkuara, thotë se qindra njerëz janë intervistuar për këtë hetim.

“Kemi gjetur njerëz deri në Gjermani dhe Norvegji që kanë qenë atje atë ditë, që kanë fotografuar, filmuar, po bëjmë gjithcka për ti kontaktuar dhe për të marrë gjithcka që mund të kenë. Po bashkërendojmë punën me ekspertë të mjeksisë ligjore në Gjermani lidhur me distancën dhe tekstimin e municionit lidhur me atë sesi mund të jenë shkaktuar plagët, në përpjekje për të rikrijuar ngjarjet e asaj pasditeje. Po analizojmë plagët e marra nga ata njerëz që vdiqën, plagët që morën, si dhe ata që morën plagë të rënda. Po përqëndrohemi dhe ekzaminojmë dislokimin e duhur dhe përdorimin e plumbave plastikë për kontrollin e turmës si dhe mandatin operacional nën të cilin po vepronte policia e UNMIK-ut”.

Në fund të këtyre hetimeve pritet të dalë një raport me gjetjet dhe përfundimet për atë që ndodhi më 10 shkurt gjatë protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo lëvizje ka njoftuar se protesta e saj e rradhës do të jetë të shtunën. Zyrtarë të policisë së Kosovës kanë kontaktuar me këtë lëvizje për t'u siguruar që ajo do të jetë paqësore dhe brenda rregullave.

I pyetur nëse protesta e së shtunës është cështje politike apo e policisë, zëdhënësi I UNMIK-ut, Nirazh Sing tha sot se cështja e protestës së të shtunës eshtë çështje policie. Megjithatë, nesër, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, pritet t’u drejtohet qytetarëve të Kosovës me një mesazh që do të transmetohet nga televizionet vendase. //kk//

XS
SM
MD
LG