Çdo vdekje është tragjike, por vdekja e Xhon Belushit 25 vjet më parë, është cilësuar si simbol i dëshpërimit të skajshëm të komedise. Fillimisht shtypi i kohës njoftoi se Belushi vdiq si pasojë e goditjes në zemër, por pas një autopsie u vërtetua se shkaku ishte marrja e tepruar e droges.
I njohur për humorin e tij ekstrem dhe praktik, lajmi i vdekjes së John Belushit fillimisht u prit me mosbesim. Të gjithë mendonin se kjo ishte një shaka e tij. Por e vërteta ishte e hidhur. “Kometa e quajtur Belushi ishte shuar”, titullohej njoftimi në një gazetë të asaj kohe. Ai ishte 33 vjec.
Disa ekspertë thonë se John Belushi nuk e kishte arritur ende kulmin e tij artistik, por të tjerë besojnë se Belushi kishte shkelqyer, veçanërisht me rolin kryesor ne varietenë televizive Saturday Night Live.
I ati i Xhon Belushit, Adam kishte emigruar nga Qyteza e Shqipërisë në Amerikë në vitin 1934 kur ishte 15 vjec dhe fillimisht u vendos në shtetin e Miçiganit, ku edhe atehere shqiptarët përbënin një komunitet aktiv. E ëma e Xhonit, Agnes ishte edhe ajo bijë e një familjeje emigrantësh po shqiptarë që ishin vendosur prej kohësh në qyteti Akron të Ohajos. Pas luftës së dytë botërore ku Adam Belushi sherbeu ne radhët e ushtrisë amerikane, ata martohen dhe lindin 4 fëmijë, më i madhi Xhoni. I ati mendonte që Xhoni kur te rritej të punonte me të në dy restorantet, pronë e familjes. Por Xhon Belushi, si çdo i ri, kishte ëndërat e veta dhe këto ai shpesh i diskutonte me gjyshen, që thuhet se ndikoi shumë në edukimin e tij
Në librin biografik Belushi, ish bashkëshortja e tij Judith Belushi Pissano shkruan se që në shkollë të mesme, ku Xhon Belushi morri studimet e para në fushen e artit dhe filloi të dilte në skenë, të gjithëve u bënte përshtypje gjallëria dhe forca tërheqëse e pranisë sç tij, sa që te krijohej bindja se çdo rol që merrte përsipër do ta realizonte përsosmërisht.
Dhe pas roleve të ndryshme me një sërë trupash të teatrit komik në Çikago, në fillim të viteve 1970, Xhon Belushi, shkëlqeu në varietenë humoristike qe transmetohej drjetperdrejt çdo të shtunë në televizion. Shumë shpejt emri i tij u bë i njohur në mbarë Amerikën.
Pastaj filluan të vërshonin ofertat kinematografike. Roli që luajti në filmin ''Animal House,'' nga mesi i viteve ‘70 e shndërroi Belushin në një ylll Hollivudi. Pas kësaj pasuan filma të tjerë përfshi Going South me Xhak Nikolsonin dhe Blues Brodhers, me Dan Akroin, ku Belushi zbuloi edhe talentin e tij të ri, përveç humoristit dhe aktorit edhe atë të këngëtarit e kompozitorit të muzikës blues.
Për kontributin dhe vlerat e artit të tij, më 2004, Amerika e ndëroi këtë bir shqiptaro-amerikan, me një yll në Bulevardin e Famës në Hollivud. Fare pranë yllit me emrin e Xhon Belushit, ndodhen ato me emrat e aktorëve të tjerë legjendare si Elizabeth Taylor, Hamphry Bogart, Lorenc Oliver e Ronald Regan.
Në një rast, vëllai i tij, Xhim Belushi, aktor i njohur, është shprehur se “Xhon Belushi ishte ndoshta viktimë e suksesit të papërmbajtur të humorit të tij të shfrenuar”. Viktimë e një dukurie në boten e artit, që kritikët e artit shpesh e cilesojnë si sindroma e suksesit të rrufeshëm i shoqëruar nga një padurim i tmerrshëm që e bën një yll të nxitojë për të arritur në majën më të lartë sa më shpejt që të jetë e mundur. Xhon Belushi vdiq më 5 mars 1982 në një hotel në Sunset Bulevard të Hollivudit, ku ai kishte shkuar për të nëshkruar një kontratë për disa filma me studion Paramount. Varri i tij ndodhet në Masachusets, në varrezat Chilmark në Marthas Vineyard ku Xhon e Judith Belushi sapo kishin blerë një shtëpi të re në këtë rajon të pasur të Shteteve të Bashkuara.