Presidenti Bush po bën thirrje për zhvillimin e teknologjive të reja të energjisë, për të pakësuar e varësisë së Shteteve të Bashkuara tek nafta e huaj. Një mundësi është energjia gjeotermale, e cila shndërron avullin që gjendet nën sipërfaqen e Tokës, në energji elektrike.
Energjia gjeotermale, në fakt nuk është një zbulim i ri, por në Shtetet e Bashkuara ajo është një lloj burimi energjie i pastër dhe i pashfrytëzuar, të cilit po i kushtohet tani më tepër vëmendje.
Energjia gjeotermale prodhohet sot në mënyrë komerciale dhe Shtetet e Bashkuara janë prodhuesit më të mëdhenj të saj në botë. Por përdorimi kësaj lloj energjie në Amerikën Veriore është minimal. Karl Gawell, i Shoqatës së Energjisë Gjeotermale thotë se kjo gjendje tani po ndryshon. “Po shohim një lloj bumi projektesh të reja në Perëndimin e Shteteve të Bashkuara. Një vit më parë, kishim vetëm nga 4 shtete që prodhonin energji gjeotermala, sot kemi projekte aktive, në zhvillim e sipër, në 11 shtete amerikane. Diçka tepër mbresëlënëse”, thotë Gawell.
Sot Shtetet e Bashkuara gjenerojnë gjysëm përqind të energjisë elektrike nga burimet gjeotermale. Kjo formë e energjisë përdoret më gjerësisht në Islandë, Filipine dhe gjetkë. Por, zhvillimi gjeotermal kufizohet kryesisht në zona ku uji i nxehtë dhe avulli gjenden pranë sipërfaqes së Tokës.
Në një studim të kohëve të fundit të financuar nga Departamenti amerikan i Energjisë, thuhet se energjia gjeotermale mund të sigurojë 10 për qind të energjisë elektrike në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2050, me çmime kompetitive dhe duke patur një ndikim minimal tek mjedisi.
Në Studimin e kryer në Institutin e Teknologjisë të Masachusetsit, MIT, thuhet se gjenerimi i energjisë gjeotermale realizohet nëpërmjet teknologjive të reja të prodhuara tashmë për fushat e naftës, të ashtuquajtura sisteme të fuqizuara gjeotermale, apo EGS. “Në se shkon 3-6 kilometra nën sipërfaqen e Tokës, kudo në Shtetet e Bashkuara, gjen shkëmbinj me temperaturë të lartë, të mjaftueshme për zjerjen e ujit”.
Sistemi EGS krijon rezervuare artificiale gjeotermale, duke i thërrmuar shkëmbinjtë e nxehtë nën sipërfaqen e Tokës, duke pompuar ujë përmes tyre dhe duke e përdorur avullin që del prej tyre për të vënë në punë gjeneratorët. “Ne i kemi kryer këto lloj punimesh në zona të ndryshme, pranë pikave gjeotermale dhe në raportin e Institutit të Teknologjisë thuhet se jemi shumë pranë krijimit të sistemeve të plota inxhinierike (për shpimet gjeotermale)brenda 10-15 vjetësh”, thotë Gawell.
Por për të arritur deri këtu ka ende shumë vështirësi. Sistemet EGS të propozuara, përdorin sasi tepër të madhe uji. Disa shkencëtarë mendojnë se ky proces mundet të krijojë tërmete të vogla. Raporti bën thirrje për një investim fillestar publik, apo privat prej 800 milionësh, deri në 1 miliardë doollarësh, për t’u përdorur në pikat e shpimit, fillimisht për zbulimin e fushave të shpimit, dhe zhvillimin e mëtejshëm të procesit gjeotermal. Autorët e studimit shtojnë pa humbur kohë, se investimi kërkon thuajse të njëjtën sasi parash, që nevojiten për të ndërtuar një uzinë të re për prodhimin e qymyrgurit të pastër. //rd//