Presidenti Bush thotë se pushimi nga puna i tetë prokurorëve ishte një vendim i drejtë, por pranoi se procesi nuk ishte zhvilluar siç duhet.
U bënë gabime dhe jam i shqetësuar rreth kësaj.
Ai thotë se zyrtarë të Departramentit të Drejtësisë nuk i shpjeguan tërësisht veprimet e tyre para anëtarëve të Kongresit.
Fakti që si demokratët ashtu edhe republikanët ndihen që u anashkaluan, më lë përshtypje të keqe mua dhe prokurorit të përgjithshëm.
Presidenti u pyet rreth kësaj çështje gjatë një konference shtypi me Presidentin meksikan, Filipe Calderon. Presidenti Bush dukej i shqetësur që çështja në fjalë e kishte ndjekur atë deri në Meksikë, ku po përpiqet të fokusohet në përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjin jugor të Amerikës. Ai la të kuptohet se pushimet nga puna nuk do të kthehen mbrapsht dhe se ai vazhdon të përkrahë Prokurorin e Përgjithshëm, Alberto Gonzales.
Kam besim tek zoti Gonzales. Kam biseduar me të në mëngjes. Folëm rreth nevojës së tij që të shkojë në Kongres dhe tua bëjë të qartë anëtarëve të të dy partive se pse Departamenti i Drejtësisë e ka marrë këtë vendim.
Presidenti tha se pushimet nga puna nuk kishin motive politike. Por ai pranoi se kishte kundërshtime rreth prokurorëve në fjalë nga kongresmenët republikanë, çfarë Presidenti i kishte transmetuar tek Prokurori i Përgjithshëm.
Nuk kam diskutuar për çështje specifike dhe as i kam dhënë atij instruksione specifike.
Prokurorët përfaqësojnë qeverinë amerikane në çështje ku përfshihet shkelja e ligjit federal. Ata emërohen nga Presidenti, dhe mund të hiqen nga administrata në pushtet. Por ata qendrojnë mbi politikën, në rolin e avokatëve të popullit amerikan. Disa nga prokurorët e pushuar kanë thënë se u ishte bërë presion nga republikanët që të përshpejtonin hetimet ndaj demokratëve para zgjedhjeve të vitit të kaluar për në Kongres. Qendrimi i Departamentit të Drejtësisë është se ata u pushuan, se puna e tyre nuk ishte në nivelin e kërkuar. (kh)