Lidhje

Një mikro-procesor i ri optik që ndihmon të verbërit


Shkencëtarët thonë se janë pranë përfundimit të plotë të punës për një mikro-procesor të ri që transmeton imazhe në tru. Një pajisje e ngjashme ka kohë që është përdorur tek të verbërit duke rikthyer tek ata shikim të pjesshëm. Pajisja e re synon rikthimin e plotë të të parit.

Hymen Marder ështrë pjesërisht i verbër. Retina e dëmtuar e lejon atë të shohë në mënyrë të kufizuar. Ai thotë se ka raste që mendon se sheh diçka, por në fakt nuk e shikon derisa kthen kokën në një kënd të caktuar.

Por njerëzit si Marder së shpejti mund të marrin ndihmë nga shkencëtari Mark Humayun, pranë institutit Doheny në Kaliforni, i cili po krijon një mikro-procesor të kompjuterizuar për të anashkaluar retinën duke komunikuar imazhet drejtpërdrejt në tru. Ai e quan metodën e tij “bajpass” në sy. Pajisja përbëhet nga një mikro-procesor që vendoset në mënyrë kirurgjike mbrapa syrit (retinës). Një kamera e vogël montohet në një palë syze dhe transmeton imazhe tek mikroprocesori, i cili i nëpërmjet nervit optik i përcjell sinjalet në trurin e pacientit. Doktor Humyan thotë se një version i herëshëm i kësaj pajisjeje ka ndihmuar personat plotësisht të verbër që të shikojnë pjesërisht. Versioni i vjetër përbëhej vetëm nga 16 mikro-elektroda, ndërsa tani po bëhen prova me një version të ri me 60 mikro-elektroda.

Doktor Humyan shpreson se mikroprocesori me 60 elektroda do të lejojë një të verbër të shikojë, por jo aq sa mund të lexojë ose të njohë fytyrat.

Arritjet e tij, shkencëtari i njoftoi në takimin vjetor të shoqatës amerikane për përparime shkencore. Ai thotë se versioni i ri i mikro-procesorit është 4 herë më i vogël se versioni i parë, por mund të dërgojë më shumë sinjale në tru. Agjencia federale e ushqimeve dhe ilaçeve ka miratuar përdorimin eksperimental të mikro-procesorit të ri në klinikë. Doktor Humyan, pranë institutit Doheny, thotë se kjo do të ndihmojë ekipin e tij për kryerjen e provave të tjera për ta bërë pajisjen edhe më të fuqishme.

Synimi i tij është krijimi i një mikroprocesor me deri në 1 mijë elektroda, në mënyrë që pacienti të jetë në gjendje të dallojë fytyrat dhe të mos quhet më i verbër. Ai shpreson që mikro-procesori për rikthimin e të parit të dalë në treg brenda 2 ose 3 vjetësh. Deri në fund të këtij viti, është parashikuar që mikro-procesori i ri të provohet klinikisht tek 50 të verbër.

XS
SM
MD
LG