Lidhje

Shpërdorimet e ndihmave për rindërtimin e Irakut


Lufta në Irak, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që ka hyri në vitin e 5-të ka kushtuar qindra miliarda dollarë, shpenzime të nevojshme si për operacionin ushtarak amerikan, edhe për rindërtimin e vendit të shkatërruar. Por disa ekspertë janë të mendimit se janë humbur me miliarda dollarë, ngaqë janë çuar dëm, për shkak të mashtrimeve dhe abuzimeve fiskale nga persona që kanë dashur të nxjerrin përfitime nga lufta. Një komision i Senatit që zhvilloi dje një takim, ka kryer një studim për zbulimin e masave të nevojshme që do ta eleminonin një problemi të tillë.

Gjatë 4 vjetëve të parë, kostoja e përgjithshme e luftës në Irak, si në jetë njerëzish, edhe në aspektin financiar e ka tejkaluar së tepërmi parashikimin. Administrata e Presidentit Bush fillimisht përcaktoi 50 miliardë dollarë për luftën, por shpenzimet aktuale janë tani 10 herë më të larta dhe kjo shifër vazhdon të rritet.

Programet për rindërtimin e Irakut kanë konsumuar shumicën e këtyre shpenzimeve dhe ligjvënësit amerikanë po përpiqen t’i japin fund përfitimeve që kanë çuar në pakësimin e miliarda dollarëve, synimi i të cilave ishte ndihma për popullin irakian. Ja si e shpjegon këtë senatori Patrick Leahy: “Populli amerikan ka sakrifikuar deri tani gjysëm trilioni dollarë. Dhe kjo sasi parash, të paktën do të dyfishohet. Pavarësisht në se janë dakord apo jo me luftën në Irak, amerikanët duhen të informohen që të sigurohen se paratë e tyre të taksave po shpenzohen siç duhet”.

Inspektori i Posaçëm po heton lidhur me mashtrimet që mendohet se janë bërë gjatë rindërtimit të Irakut. Ai thotë se ka shumë faktorë që e vështirësojnë këtë çështje. “Një nga sfidat në Irak është sigurimi i informacioneve, në kushtet kur nuk ka të dhëna elektronike për t’u ndjekur. Nuk ka të dhëna për transferim fondesh në Irak, që do të thotë se duhet mbështetur tërësisht tek individët që do t’i ekspozojnë mashtrimet. Këta individë veprojnë në një ambjent, ku jeta e tyre është në rrezik”. Zyra e zotit Bowen disa muaj më parë shqyrtoi ecurinë e shpenzimeve në projektet për rindërtimin e Irakut.

Kontrollet financiare gjetën se deri gjysma e parave që qeveria amerikane u paguan kontraktorëve, shkon për administratën, në vend që të përdoret për rindërtimin e Irakut.

Në një rast, thuhet në raport, një filial i korporatës gjigande Halliburton i kërkoi qeverisë federale një shumë prej 163 milionë dollarësh, për shpenzime të paparashikuara, mbi 55 për qind të buxhetit për mbarë projektin e rindërtimit.

Revizori po ashtu arriti në përfundimin se vonesat e shumta në zbatimin e programeve i kanë kushtuar më tepër administratës. Por zoti Bowen thotë se kontraktorët privatë nuk janë të vetmit që duhen fajësuar për shpenzimet pa kriter. “Korrupsioni në qeverinë irakiane është një problem serioz që pengon përparimin në Irak. Në raportet tona ne e kemi cilësuar atë “kryengritja e dytë”në Irak”, thotë zoti Bowen.

Nga 300 raste korrupsioni që ka hapur zyra e inspektorit të përgjithshëm, hetuesit zbuluan se miliona dollarë janë përvetësuar nga zyrtarët irakianë, në formën e rryshfeteve. Avokatët e qeverisë amerikane thonë se shpresojnë që pas hetimeve që kanë filluar, në të ardhmen do të dënohen personat që kanë përvetësuar fondet e caktuara për rindërtimin e Irakut. //rd//

XS
SM
MD
LG