Lidhje

SHBA: Çështja e prokurorëve - ashpërsohen debatet


Kongresi shtoi presionin ndaj Shtëpisë së Bardhë dje, një ditë pasi Presidenti Bush i bëri një ofertë kapitolit. Presidenti tha se mijra faqe dokumente po u jepen hetuesve të Kongresit dhe se disa ndihmës të Shtëpisë së Bardhë do t’u përgjigjen privatisht pyetjeve.

Më pak se 24 orë pasi Presidenti e bëri këtë deklaratë, një komision i Dhomës së Përfaqësuesve autorizoi përdorimin e thirrjeve, në qoftë se do të jetë e nevojshme, për t’i detyruar zyrtarët të dëshmojë publikisht dhe të betohen për të thënë të vërtetën. Kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, John Conyers, tha se oferta e Presidentit për të lejuar intervista jo zyrtare nuk ishte e mjaftueshme.

“Ne mund të mblidhemi në ndonjë klub lagjeje dhe të bëjmë muhabet. Mua më pëlqejnë bisedat, veçanërisht me juristë veteranë dhe njerëz që kanë lidhje me Shtëpinë e Bardhë. Do të ishte një bashkëbisedim i shkëlqyer. Por për mendimin tim kjo nuk do të na çonte drejt zbulimit të të vërtetës për këtë çështje”.

Zoti Conyers e bëri të qartë se e shikon autoritetin për të lëshuar fletë thirrje si një një instrument për të zhvilluar negociata të mëtejshme me Shtëpinë e Bardhë.

“Pra gjithçka që ne kërkojmë sot është t’i mbajmë rezervë fletë thirrjet, me shpresë se mund të vazhdojmë diskutimin”.

Në konferencën e shtypit me gazetarët, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Tony Snow, tha se ende ka shpresë që të gjendet një mënyrë bashkëpunimi me Kongresin. Megjithatë, ai tha gjithashtu se administrata ka bërë ofertën e saj të fundit dhe më të mirë.

“Në qoftë se ata lëshojnë fletë thirrje, Shtëpia e Bardhë do ta tërheqë ofertën”.

Zoti Snow tha se këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë nuk mund të detyrohen të dëshmojnë para Kongresit dhe komentoi se disa demokratë duan ta kthejnë një seancë dëshmish në një formë gjypi publik për qëllime të politikës partiake.

“Çështja është nëse ata duan të krijojnë një spektakël politik apo duan të zbulojnë të vërtetën deri në fund”.

Çështja është sepse këta tetë prokurorë federalë, që të gjithë republikanë, u shkarkuan nga Departamenti i Drejtësisë i administratës Bush. Shtëpia e Bardhë thotë se është në kompetencë të saj të emërojë dhe të pushojë juristë federalë dhe se këta tetë persona nuk po bënin punë të mirë.

Por disa prej tyre kanë thënë se u zëvendësuan për shkaqe politike sepse nuk ishin dakord me kërkesat nga republikanë të tjerë për të filluar hetime ndaj demokratëve që konkuronin për poste zyrtare publike. (kh)

XS
SM
MD
LG