Lidhje

Nafta dhe siguria e Shteteve të Bashkuara


Kongresi amerikan zhvilloi ditët e fundit një seancë dëshmish lidhur me ndikimin që mund të ketë rritja e kërkesës për naftë në sigurinë kombëtare. Disa ligjvënës dhe ekspertë të energjisë thonë se varësia tek nafta e importuar kufizon aftësinë e Shteteve të Bashkuara për arritjen e synimeve në politikën e jashtme.

Kryetari demokrat i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Tom Lantosh, paralajmëroi se të ardhurat nga nafta po bëjnë të mundur që vende prodhuese si Irani dhe Venezela të ndjekin politika që bien në kundërshtim me interesat amerikane. Zoti Lantosh tha se varësia tek nafta i ka paralizuar përpjekjet amerikane në përdorimin diplomacisë për të goditur ambicjet bërthamore të Iranit. "Irani vazhdon të bëjë kontrata fitimprurëse energjie me vende të tjera, të cilat i sjellin atij përfitime direkte në përpjekjet për të siguruar armë bërthamore", tha zoti Lantosh.

Kështu mendon edhe ish-drejtori i CIA-s, John Deutch. Ai tha në Kongres se Irani mund ta ndërpresë prodhimin e naftës prej 2,5 milion fuçi në ditë në se vendosen sanksione për aktivitetet e tij bërthamore. Deutch, po ashtu tha se përfitimet nga nafta e kanë lejuar Venezuelën të ndjekë politika anti-amerikane dhe anti-demokratike. John Deutch është profesor në Massachusets Institute of Technology. Ai tha se Shtetet e Bashkuara aktualisht varen së tepërmi tek nafta e importuar nga Lindja e Mesme. Por ai tha se bota do të varet përherë e më tepër tek importimi i naftës nga Afrika. "Është e rëndësishme që Amerika të nxisë qeverisjen e mirë në këto vende, meqë ato janë prodhuese të naftës. Eshtë shumë e rëndësishme, jo vetëm ngaqë në këtë mënyrë përmirësohet gjendja sociale dhe ekonomike e qytetarëve të tyre, por në të njëjtën kohë, duke patur atje një qeverisje të mirë, do të ketë më tepër qëndrueshmëri, dhe kjo do të lejonte që prodhimi i tyre i naftës të shkonte për të plotësuar nevojat botërore".

Kongresmeni Lantosh thotë se Kina është bërë tepër agresive në kërkim të naftës në vendet e Afrkës Perëndimore, si Angola dhe Sudani. "Për të plotësuar nevojat e veta për energji, Kina kërkon burime nafte dhe po mbështetet tani mjaft te vendet afrikane, si Sudani. Nuk është çudi që Kina ka qenë një pengesë e fortë në përpjekjet ndërkombëtare për t’i bërë presion Kartumit që t’i japë fund gjenocidit në Darfur", thotë zoti Lantosh.

Ish-drejtori i CIA-s, Deutch, tha se për të pakësuar varësinë e Shteteve të Bashkuara tek importi i naftës, qeverisë amerikane mund t’i duhet të zbatojë masa politikisht jo popullore si taksa benzinës dhe produkteve të tjera të naftës. "Vënia e një takse të tillë jo vetëm do të ulte kërkesën për prodhime nafte por do të ishte sinjal çmimi për sektorin privat, pra për nevojën e teknologjive të reja që nuk varen nga nafta". Zoti Deutch tha se stimujt e qeverisë janë të nevojshëm për nxitjen e kërkimeve të energjive alternative ndaj naftës. //rd//

XS
SM
MD
LG