Lidhje

Kryeministri Bler paralajmëron Iranin të lirojë marinarët


Kryeministri britanik Tony Blair paralajmëroi Iranin se përpjekjet për lirimin e 15 marinarëve britanik do të hynin në një ‘fazë ndryshe’, siç u shpreh ai, nëse diplomacia dështon.

Zoti Blair nuk tha hollësi kur u pyet të komentonte më gjerë gjatë një interviste me kanalin GMTV. Por ai tha se shpreson që Irani mund të bindet përmes kanaleve diplomatike dhe se nuk ka justifikim për mbajtjen e 15 britanikëve. Irani kapi 15 marinarët, midis tyre një grua, të premte dhe po i merr ata në pyetje.

Irani thotë se marinarët hynë në ujrat territoriale iraniane, por Britania dhe Iraku këmbëngulin se, kur u kapën, ata ishin në ujrat irakiane.

Sekretarja e Jashtme britanike Margaret Beket ndërpreu sot një vizitë në Turqi që të kthehej në atdhe për të njoftuar parlamentin lidhur me krizën. Zonja Beket tha se po kthehej në Londër sepse çështja me Iranin nuk ishte zgjidhur ashtu siç kishte shpresuar ajo. Shtëpia e Bardhë tha se ndan shqetësimin dhe zemërimin e Britanisë për kapjen e personelit të marinës britanike. //rd//

XS
SM
MD
LG