Lidhje

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, me kancer në mëlçi


Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Snou ndodhet përsëri përballë një beteje me kancerin. Ky lajm e ka tronditur stafin e Presidentit.

Zëdhënësi Toni Snou gjithmonë ka shprehur krenari për fitoren e tij ndaj kancerit të zorrës së trashë në vitin 2005. Tani, sëmundja është rikthyer. Zoti Snou iu nënshtrua dje operacionit për një tumor të vogël në pjesën e poshtëme të barkut. Përpara operacionit, ai dukej optimist dhe thoshte se analizat e para kishin dalë mirë. "Analizat e gjakut dolën negative po kështu edhe skanimet. Megjithatë, për të qenë plotësisht i sigurt, do të shkoj të hënën të operohem dhe do ta heq tumorin" , tha zoti Snou.

Por rezultatet e operacionit ishin tronditëse. Zoti Snou e mori vetë në telefon Presidentin Bush për t’i dhënë lajmin. I telefonoi edhe zëdhënëses së tij, Dana Perino. Tumori ishte kanceroz dhe sëmundja i ishte përhapur në mëlçi. Zonja Perino, me pamje mjaft të tronditur ia përcolli sot njoftimin gazetarëve të akredituar në Shtëpinë e Bardhë. Pak më vonë, presidenti bëri komente për zotin Snou jashtë Shtëpisë së Bardhë: "Ai është njeri që nuk do ta lejojë veten t’i nënshtrohet sëmundjes. Aë është njeri optimist. Le të lutemi të gjithë për të dhe për familjen e tij.", tha zëdhënësja.

Presidenti tha se mezi pret ditën kur zoti Snou të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Por askush nuk e di se kur do të jetë kjo ditë. Zonja Perino u tha gazetarëve se zëdhënësi Snou do t’i nënshtrohet për herë të dytë një kimoterapie të fortë. Herën e parë që bëri kimoterapi ishte në vitin 2005 kur iu hoq zorra e trashë kanceroze. Gjendja shëndetësore ishte një nga elementët që u mor në konsideratë vitin e kaluar kur zotit Snou iu ofrua posti i zëdhënësit. Ai e pranoi ofertën pasi mjekët thanë se gëzonte shëndetin e duhur për punën e re. //rd//

XS
SM
MD
LG