Lidhje

A do të bëhej statusi i Kosovës pengesë për marrëdhënie normale amerikano-ruse?


Në seminarin me temë “Shtetet e Bashkuara dhe Rusia”, një nga çështjet që u prekën ishte edhe statusi i Kosovës në kontekstin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ajo që disa ekspertë e shikojnë si rishfaqje të simptomave të Luftës së Ftohtë në marrëdhëniet amerikano-ruse, është një karakterizim i zmadhuar. Kjo ishte në përgjithësi pikpamja e pjesëmarrësve në seminarin që u mbajt ditët e fundit në Qendrën Nikson në Uashington.

Megjithatë, asnjë prej atyre që përfaqësonin qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë nuk thanë se këto marrëdhënie janë në rugën e duhur për t’u bërë një partneritet i mirëfilltë. Për më tepër, duket se bashkëpunimi mes Uashingtonit dhe Moskës ndodh vetëm kur interesat e tyre ndërthuren, fenomen që sipas Presidentit të Qendrës Nikson, Dimitri Simes, nuk ndodh shpesh.

Demokraca perëndimore, ashtu siç e përcaktojnë Shtetet e Bashkuara nuk është një model i pranueshëm për Rusinë, e cila është krenare për të ashtuquajturën “demokraci sovrane”, që nuk pranon udhëzime apo ndërhyrje nga jashtë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk janë shembujt më të mirë për Rusinë dhe promovimi i fuqishëm i interesave amerikane në hapësirat pas-sovjetike, veçanërisht në Ukraninë dhe Gjerogji, është shqetësues për Moskën, sipas zotit Simes, i cili thekson se plani amerikan për të vendosur një sistem mbrojtës nga raketat në Poloni dhe në Republikën Çeke, është parë nga Rusia si një hap tepër irritues.

Prandja nuk është aspak e papritur që një çështje si statusi i Kosovës të marrë edhe përmasa shpërthyese. Fakti që Rusia po e shfrytëzon kartën e Kosovës është më tepër simptomë e problemit se sa shkaku i tij, thotë zoti Simes. Megjithatë ai paralajmëron që të tregohet kujdes në këtë çështje, pasi Rusia mund të vendosë ta bëjë Kosovën shembull për Abkhazinë dhe Osetinë Jugore.

“Rusët nuk mund ta pengojnë Kosovën të bëhet e pavarur. Ne nuk mund t’i pengojmë Abkazinë dhe Osetinë e Jugut të shkëputen nga Gjeorgjia. Për mendimin tim, kjo është hera e parë në shumë e shumë vjet që ne kemi përballë mundësinë e konfrontimit ushtarak”.

Rusia do të irritohej së tepërmi, thotë zoti Simes, në qoftë se Kosova do të fitonte pavarësinë pa miratimin e Kombeve të Bashkuara, sepse një gjë e tillë do t’i kujtonte asaj rolin e papërfillshëm të saj në vitin 1999, gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë.

Duke theksuar se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme dhe rrjedhim logjik i procesit që filloi me fushatën e NATO-s tetë vjet më parë, zoti Simes vë në dukje se ka një opcion që Serbia do të ishte e predispozuar ta pranonte, megjithëse me ngurrim. Rusia do të pranonte një rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, ose të paktën nuk do ta bllokonte një të tillë, nëqoftë se do të arrihej një zgjidhje që Serbia ta pranonte në heshtje.

“Jo ndarje në enklava dhe kantone të vogla, por ruajtja e pak zonave në veri të Kosovës që të mos jenë të banuara vetëm nga Serbët por as të mos kontrollohen nga qeveria e Kosovës. Serbët mund ta pranonin këtë dhe në këto kushte Rusia mund të pranonte një rezolutë të re. Kështu Kosova nuk do të vendoste një precedent për Abkazinë dhe Osetinë Jugore, sepse kjo do të votohej në Kombet e Bashkuara”.

Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Juri Ushakov, një nga të ftuarit e rëndësishëm në seminarin e organizuar nga Qendra Nixon, nuk bëri ndonjë koment lidhur me opcionet e mundëshme në Këshillin e Sigurimit për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. //iç//

XS
SM
MD
LG