Lidhje

Anglishtja, gjuhë e detyruar në të gjitha nivelet e arsimit shqiptar


Gjuha angleze është vendosur këtë vit shkollor në qendër të përparësive të sistemit shkollor shqiptar, duke u vlerësuar nga drejtuesit e arsimit si një mjet i domosdoshëm në përgatitjen e nxënësve. Anglishtja është zyrtarisht sivjet gjuhë e huaj e detyruar edhe për klasat e 3 dhe 4 të shkollës fillore, dhe vijon të mësohet paralel me gjuhën shqipe dhe letërsinë që në moshë të vogël. Kombe të cilët anglishten e kanë vënë prioritet arsimor para 20 apo 25 vitesh, sot janë jashtëzakonisht të zhvilluara dhe kanë thithur qindra miliarda dollarë investime.

“Ne si shtet kemi detyrimin që të bëjmë më mirë detyrën tonë. Duke vendosur qartazi anglishten si prioritet besoj që i bëjmë shërbimin më të mirë të sotmes dhe të nesërmes së shoqërisë shqiptare" - thotë Genc Pollo, ministër i arsimit.

Statistikat tregojnë se rreth 70 për qind e fëmijëve shqiptarë po studojnë aktualisht gjuhën angleze në shkollat publike, dhe vetëm 30 për qind mësojnë gjuhë të tjera si frëngjisht dhe italisht.

“Në shumë pak muaj fëmijët kanë arritur të mësojnë një fjalor shumë të gjerë. Mendoj që në këtë moshë anglishtja duhet patjetër për klasat e treta. Gjuha angleze i bën fëmijët bashkëkohorë, ajo është gjuha e literaturës që duhet për cdo lloj profesioni. U them edhe fëmijëve në klasat më të larta: Nuk keni ku të shkoni pa gjuhën angleze; ju duhet patjetër" – thotë mësuesja e anglishtes, Merita Topalli.

Zgjerimi i anglishtes në shkollat shqiptare, pohojnë ekspertët, do të rritë cilësinë e librave dhe metodikave me konkurrimin për herë të parë midis teksteve të shtëpive të huaja botuese, britanike, amerikane dhe atyre vendase. Kjo besohet nga specialistët e arsimit se është baza e përvetësimit të shkencave dhe njohurive të reja që e afrojnë rininë shqiptare me botën e zhvilluar.

"Anglishtja është një gjuhë që mirë është që ta mësojnë të gjithë. Kështu menduam që me ndihmën edhe të drejtorisë arsimore, e futëm edhe në klasat e treta. Mendoj se janë kënaqur edhe prindërit se edhe kërkonin me shqetësim që fëmijët e tyre të mësonin anglisht që në klasë të tretë. Mësimin që jep mësuesja fëmijët e kanë qejf, sepse aty organizohen edhe lojëra dhe metoda të ndryshme. Tani ato ndjehen të barabartë me fëmijët e klasave të katërta" - thotë drejtoresha Vojsava Mjolli, e shkollës "Mihal Grameno".

Futja gjerësisht e gjuhës angleze në të gjitha nivelet e shkollës shqiptare që nga klasa 3 fillore e deri në Universitet zgjeron më tej edhe tregun e mësuesisë për këtë gjuhë, madje ka edhe një propozim për rritjen e pagave të mësuesve të anglishtes, matematikës dhe informatikës për t'i nxitur më tej në punën e tyre.

"Do të shikojmë mundësinë që mësuesit e anglishtes të kenë një shtesë ekstra në pagë, krahas shtesës së përgjithshme të pagës që do të bëhet për mësuesit në mes të këtij viti. Vlerësimi i anglishtes si një lëndë e preferuar për të gjitha fakultetet publike të vendit është një mekanizëm i mrekullueshëm që efektet e veta do t'i japë pas një viti, pas dy vjetësh, por sidomos jam i sigurtë pas pesë vjetësh do të ketë efekte të plota" - thotë ministri i arsimit, Genc Pollo.

Vëzhgues të jetës ekonomike e sociale të Shqipërisë e kanë vlerësuar këtë nismë në arsimin shqiptar, ku krahas shtimit të madh të numrit të anglisht-folësve, do të rritet edhe përgatitja e brezave për shkollim më të mirë, studime dhe zhvillim të vendit./al/

XS
SM
MD
LG