Lidhje

FMN-ja vëmendje ndaj rritjes së çekuilibrit tregëtar


Shqetësimet për kurset artificiale të këmbimit dhe disniveli import-eksport do të jenë në krye që rendit të ditës kur të takohen zyrtarët botërorë të financave më 13-15 prill në Uashington në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Megjithëse ekonomia globale vazhdon të ecë me ritme të mira, ka shqetësime për rrezikun që paraqesin mospërputhjet ndërmjet vëllimit të importit dhe eksportit. Kina, ekonomia që po njeh rritjen më të shpejtë në vendet e mëdha, thuajse e ka dyfishuar sufiçitin tregtar gjatë vitit të kaluar.

Një numër kritikësh thonë se Kina duhet të pakësojë këtë sufiçit duke lejuar rritjen e vlerës së parasë së saj. Kritikët janë të mendimit se Kina e mban artificialisht të ulët vlerën e parasë së saj për të siguruar avantazh tregtar.

Rodrigo de Rato, ish-ministri spanjoll i financave, i cili kryeson Fondin Monetar Ndërkombëtar, hedh poshtë kritikat se FMN-ja është treguar neglizhente pasi nuk ka këmbëngulur që Kina të rrisë vlerën e parasë së saj: "Ne mendojmë se Kina po humbet mundësi që do t’i kishte po të lejonte luhatjen e lirë të kursit të këmbimit, i cili nuk duhet të matet vetëm me dollarin amerikan, por edhe me para të vendeve të tjera në mënyrë që të zhvillohet një tregti e balancuar. Jemi të bindur për këtë dhe e kemi thënë prej kohësh".

Morris Goldstein, ish-zyrtar i FMN-së, i cili tani punon për Institutin për Ekonominë Ndërkombëtare në Uashington, thotë se duke mos bërë kritika më të hapura, FMN-ja nuk po përmbush vetë funksionin e saj për të nxitur qëndrueshmëri monetare. Zoti Goldstein thotë se nuk ka dyshim që kinezët po manipulojnë kursin e këmbimit të parasë së tyre: "Vlera reale e parasë në Kinë ka rënë, megjithëse monedha kineze është rritur 5-6 për qind në vlerë krahasuar me dollarin amerikan. Megjithë zotimet që bëri në korrik 2005, qeveria kineze vazhdon të ndërhyjë në treg në masën 20-25 miliardë dollarë në muaj për të mbajtur të ulët vlerën e parasë së saj".

Analistët shqetësohen se këto manipulime dhe mungesa e një balance ndërmjet importit dhe eksportit mund të çojnë në një reaksion që do të sjellë rënien e tregjeve të dhe dollari të bjerë aq shumë sa mund të çojë në ngadalësim ekonomik. Megjithatë, FMN-ja nxori një raport dje ku hedh poshtë paralajmërimet se ka rrezik për paqëndrueshmëri globale si rezultat i dobësimit të tregut të shitjes së shtëpive dhe kredive për blerje shtëpish në Shtetet e Bashkuara. //rd//

XS
SM
MD
LG