Senati amerikan votoi këto ditë për të lejuar kërkimet shkencore për qelizat embrionale. Përkrahësit e ligjit, nga të dyja partitë, thonë se kërkimet në këtë fushë ofrojnë shpresa për një sërë kurash, si sëmundja e Parkinsonit, dëmtimet e shtyllës kurrizore dhe diabetin, por kundërshtarët thonë se synimi nuk e justifikon mjetin, që në këtë rast, është shkatërrimi i qelizave të gjalla.
Senati amerikan, me shumicë dërrmuese votash, dha miratimin për lehtësimin e kufizimeve ndaj fondeve federale për kërkimet për qeliza embrionale. Përkrahësit e ligjit nga të dyja partitë, thonë se kërkimet në këtë fushë ofrojnë shpresa për një sërë kurash, si sëmundja e Parkinsonit, dëmtimet e shtyllës kurrizore dhe diabetin.
Por Presidenti Bush dhe kundërshtarë të tjerë të këtij ligji thonë se fondet federale nuk duhen përdorur për kërkime lidhur me “shkatërrimin, dëmtimin, apo krijimin e embrioneve të gjalla njerëzore”. "As synimet më fisnike nuk e justifikojnë mjetin", -tha Presidenti.
Vetëm një veto e presidentit Bush, deri tani, ka mundur të hedhë poshtë ligje të tjera, në kushte të ngjashme. Kjo do ta ndryshonte vendimin e tij të vitit 2001, për kufizimin e kërkimeve mbi qelizat embrionale. Me numrin e votave aktuale në Senat, rezultati i tanishëm nuk përmbush shumicën e nevojshme prej dy të tretash, për të diktuar një veto të dytë, që mund të vinte presidenti.
Por përkrahësit e ligjit duan që ai të debatohet. "Ne mund të vendoset se ç’duhet bërë, për arsye se Presidenti, cilido qoftë ai, kërcënon t’i verë veton një ligji. Ne duhet të bëjmë atë që është më mirë. Ne duhet të bëjmë atë që do populli amerikan, ç’ka është në interesin e këtij populli, sepse kjo është detyra jonë", thotë senatori Tom Harkin.
Megjithë kufizimet ndaj fondeve federale, shpenzimet për kërkime mbi qelizat embrionale janë trefishuar nga viti 2004 deri në vitin 2005, në më tepër se 600 milionë dollarë. Disa shtete amerikane janë marrë konkretisht me këtë çështje. Kalifornia, psh, u zotua se do të japë 3 miliardë dollarë për kërkime në këtë fushë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm. "Unë jam shumë i interesuar në kërkimet për qeliza embrionale", - thotë guvernatori Shvarceneger.
Kundërshtarët e ligjit thonë se ata nuk janë kundër kurave, por vetëm kundër mjetet e propozuara për arritjen e tyre. "Unë dua që të ketë kura, ashtu sikurse edhe të tjerë. Edhe unë dua të besoj se dhimbjet dhe vuajtjet do të marrin fund, ashtu sikurse edhe të tjerë, por unë nuk mundem, që me ndërgjegjen time, të mbështes një ligj, i cili i detyron taksapaguesit amerikanë të financojnë kërkimet që kërkojnë shkatërrimin e jetëve të pafajshme njerëzore", tha senatori Charles Grassley.
Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një ligj të ngjashëm këtë vit, në mbështetje të fondeve federale. Dhoma pritet të miratojë variantin e Senatit javët e ardhshme. //rd//