Lidhje

Kryeprokurori Gonzalet do të dëshmojë në Kongres për shkarkimin e prokurorëve


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Alberto Gonzales, do të dëshmojë përpara Kongresit amerikan të martën, lidhur me përfshirjen e tij në skandalin e pushimit nga puna të 8 prokurorëve federalë. Dëshmia e zotit Gonzales cilësohet si qënësore në shanset e tij për të mbajtur postin, meqënëse shumë demokratë, madje edhe disa republikanë kanë bërë thirrje për dorëheqjen e tij.

Prokurori i Përgjithshëm, Gonzales do të jetë në pozitë të vështirë kur të përballet me Komisionin Juridik të Senatit, përfshirë ligjvënësin demokrat, Çarls Shumër. “Më shumë se çdo zyrtar tjetër i kabinetit, prokurori i përgjithshëm duhet të thotë të vërtetën. Sa më shumë fakte mësojmë, aq më shumë duket se prokurori i përgjithshëm nuk po thotë të vërtetën lidhur me ato që ndodhën në Departamentin e Drejtësisë lidhur me pushimin nga puna të 8 prokurorëve federalë.”

Pritet që demokratët t’i bëjnë presion zotit Gonzales për të mësuar përfshirjen e tij në pushimin nga puna të prokurorëve, si dhe justifikimin nga Departamenti i Drejtësisë për këtë. “Unë jam në dijeni se filloi një proces i vlerësimit të punës së mirë të prokurorëve dhe me sa di shefi im i kabinetit është përfshirë në procesin e vlerësimit edhe të punës së dobët", tha zoti Gonzales.

Por ish-shefi i kabinetit të zotit Gonzales pohoi për Kongresin se zoti Gonzales kishte firmosur pushimin nga puna të prokurorëve dhe se prokurorët federalë ishin pushuar se ata nuk mbështesnin sa duhet përparësitë e presidentit Bush. Demokratët thonë se politika nuk duhet të ndërhyjë në procesin e zbatimit të ligjit. Senatori demokrati Patrik Lehi kryeson Komisionin Juridik të Senatit. “Unë kërkoj që populli amerikan të ketë prokurorë dhe një Departament Drejtësie që zbatin ligjin pa u influencuar nga politika. Sistemi juridik nuk funksionon nëse ndërhyn politika”, tha senatori.

Ekspertët ligjorë thonë se presidenti ka të drejtën të marrë në punë ose të pushojë prokurorë federalë, por ai duhet t’i japë shpjegime publikut nëse dyshohet se pushimet kanë patur arsye politike. Piter Smith është profeson në Fakultetin Juridik të universitetit Xhorxh Uashington. “Presidenti ka autoritetin të pushojë prokurorë dhe teoritikisht ai mund t’i pushojë ata edhe për arsye politike. Por ne tradicionalisht, në Shtetet e Bashkuara, i kemi vendosur prokurorët mbi politikën.”

Demokratët po kërkojnë dokumenta nga administrata e presidentit Bush dhe duan gjithashtu një dëshmi gjyqësore nga juristja e Shtëpisë së Bardhë, Heriet Majërs dhe nga këshilltari më i lartë politik i presidentit Karl Rove. Deri tani presidenti i ka rezistuar kësaj kërkese. Ai argumenton se nëse detyrohen këshilltarët e tij të japin dëshmi mbi bisedat e tyre private, atëherë do të bëhej e vështirë për ta që t’i jepnin këshilla të sinqerta presidentit. “Ne nuk do të pajtohemi me një procedurë partiake e cila vë në shjënjestër punonjës të nderuar që i shërbejnë publikut.” Kjo përplasje midis presidentit dhe Kongresit, mbi dëshmitë e mundëshme të ndihmësave të Shtëpisë së Bardhë, mund të përfundojë në gjykata si një çështje kushtetuese nëse nuk arrihet një kompromis.

Por eksperi ligjor Piter Smith nuk beson se çështja do të arrijë në gjykatë. “Këto mosmarrëveshje zgjidhen nëpërmjet kompromiseve politike. Njëri prej tyre, Kongresi ose presidenti do të tërhiqen, por Kongresi ka të drejtën për të kërkuar dhe presidenti ka të drejtën për të rezistuar.” Zoti Alberto Gonzales ka shërbyer si prokuror i përgjithshëm që nga vitit 2005 dhe si këshilltar juridik i Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të parë të presidentit Bush. //rd//

XS
SM
MD
LG