Lidhje

Parlamenti shqiptar shtyn votën e projektligjit mbi transmetimet dixhitale


Në Shqipëri parlamenti vendosi të martën në orët e para të mëngjesit të shtyjë votimin e projektligjit te debatueshem mbi transmetimet dixhitale. Pas më shumë se dy orë debatesh të gjata, shumica ra dakort pas orës 3 të mëngjesit që ky projekt të diskutohet edhe një herë në Komisionin e Medias në përpjekje për të gjetur një formulë kompromisi edhe me opozitën.

Çështja e transmetimeve dixhitale prej gati dy javësh u vu në qendër të vëmendjes duke shkaktuar edhe një përplasje të fortë mes dy kampeve në parlament, të cilat u ushqyen dhe nga procedurat e përshpejtuara të ndjekur për prezantimin e tij nga një grup deputetësh demokratë. Një vendim i javës së shkuar i parlamentit për të shtuar numrin e anëtarëve të komisionit të medias vetëm shtoi acarimin dhe bëri që opozita të tërhiqej dhe të mos merrte pjesë në punimet e tij.

Sipas shumicës projekti i përgatitur synon të vendosë rregullat në një sektor i cili ka vepruar në mungesë të plotë të kuadrit ligjor. Por sipas opozitës, synimi i të djathtës në pushtet është vetëm goditja e platformës ekzistuese dixhitale në pronësi të grupit Top Media dhe favorizimi i grupeve të tjera mediatike të afërta me qeverinë.

Po të martën në orët e para të mëngjesit parlamenti miratoi edhe një tjetër projektligj, atë për Auditin e Brendshëm në sektorin Publik, për të cilin pati gati 5 orë diskutime të ashpra.

Ky ligj synon shtrirjen e kontrollit financiar në të gjitha institucionet, nga një strukturë e cila do të varet nga ministria e Financave. Sipas opozitës, e cila votoi kundër, ligji dublon dhe synon të shmangë Kontrollin e Lartë të Shtetit si dhe të ndërhyjë në veprimatrinë e institucioneve të pavarura. //az//

XS
SM
MD
LG