Lidhje

Departamenti i Shtetit rithekson qëndrimin për Kosovën


Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Shon Mekormak ritheksoi dje qëndrimin e qeverisë amerikane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Është mendimi ynë dhe i të tjerëve në Këshillin e Sigurimit dhe në Grupin e Kontaktit se gjendja e tanishme nuk mund të vazhdojë më gjatë dhe duhet gjetur një zgjidhje.”

Zëdhënësi Mekormak tha se Shtetet e Bashkuara janë të ndërgjegjshme për shqetësimet që ka ngritur Rusia duke shtuar se misioni faktmbledhës në Kosovë u organizua pikërisht për këtë qëllim.

“Qeveria ruse ka shprehur rezerva të thella ndaj planit Ahtisari dhe të gjithë e dimë këtë. Ata na i kanë shprehur ne këto rezerva privatisht dhe sigurisht, që i kanë bërë të qarta edhe në publik. Dhe ne, ashtu sikurse anëtarë të tjerë në Këshillin e Sigurimit po përpiqemi t’i marrim parasysh shqetësimet e tyre”.

Zëdhënësi shtoi se Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rice do të këtë rast të bisedojë me homologun rus Sergei Lavrov gjatë takimit në Norvegji si dhe kur të vizitojë Moskën në mesin e muajit maj, në kuadrin e turneut të saj në Lindjen e Mesme.

Zëvendës ministri i Jashtëm rus Vladimir Titov tha dje se një zgjidhje e bazuar në planin e zotit Ahtisari nuk do të miratohet duke shtuar se kërcënimi i vetos duhet t’i nxisë palët të arrijnë një zgjidhje kompromisi.

Zëdhënësi McKormack, duke shprehur mendimin e qeverisë amerikane, tha se çështja e Kosovës ka marrë një rëndësi të veçantë tashmë prej kohësh. Kjo, tha ai, për shkak të natyrës specifike të politikës dhe historisë së Ballkanit.

"Statusi i Kosovës ka qenë historikisht i paqëndrueshëm, prandaj Këshilli i Sigurimit, zoti Ahtisari dhe ekipi i tij, si dhe Grupi i Kontaktit, po përpiqen të gjejnë rrugën drejt një zgjidhjeje politike të qëndrueshme për çështjen e Kosovës, që edhe pse nuk do t’i kënaqte të gjithë, do të ishte një zgjidhje e qëndrueshme.” - tha zëdhënësi Mekormack.//lk

XS
SM
MD
LG