Lidhje

KKRT: Harta e frekuencave, mundësi për liçensa të reja kombëtare


Në Shqipëri Këshilli Kombëtar i Radioteleviozioneve ka përfunduar një hartë të projektplanit të frekuencave. Duke nisur nga ditë e nesërme, ky organizëm i cili është përgjegjësi dhe rregullatori i tregut të mediave audiovizive do të nisë verifikimet në terren për të parë jo vetëm zbatimin e këtij projekti por edhe zgjerimin jashtë zonave të licencimit të shumë prej operatorëve televiziv. Në Shqipëri, sipas të dhënave të vetë Këshillit Kombëtar të radiotelevizioneve, pjesa dërrmuese e operatorëve kanë shkelur hapësirat që u lejohen atyre për transmetim, ose nuk kanë plotësuar kërkesat e parashikuara nga licenca. Në programin televiziv Ditari, Zëri i Amerikës i mori këtë intervistë kryetarit të KKRT-së, zotit Ledio Bianku.

Zëri i Amerikës: Së pari, zoti Bianku çfarë përfaqëson harta e frekuencave dhe si do të ndikojë kjo në tregun e mediave audiovizive?

Ledio Bianku: Kjo hartë e frekuencave përbën hapin e pare për përgatitjen e planit kombëtar të frekuencave. Harta është përgatitur që në janar të këtij viti por edhe për arësye klimaterike edhe për arsye të përgatitjes logjistike KKRT është e gatshme vetëm tani që të fillojë kontrollin në terren për të verifikuar pra sesa kjo hartë është e zbatueshme dhe operatorët po respektojnë kriteret e kësaj harte edhe në terren. Për të verifikuar pikërisht zbatimin e kritereve ligjore nga të gjithë operatorët, grupet teknike të KKRT-së do të shkojnë në të gjitha pikat e transmetimit pa asnjë lloj diskriminimi as territorial, as në lidhje me operatorët por duke shkuar në çdo pike dhe duke verifikuar të gjithë operatorët që janë ose jashtë zonave, ose që nuk kanë arritur të mbulojnë zonat ku ata në përputhje me kushtet e licenses duhet të transmetojnë. Një vizitë e plotë territoriale nga grupet e ekspertizës së KKRT-së do ti mundësojë KKRT-së që të përfundojë atë që pritej prej vitesh prej këtij institucioni që është plani kombëtar i frekuencave. Në të njëjtën kohë përfundimi i këtij plani do të na mundësojë ne si institucion të vlerësojmë si mundësinë e hapjes së garës për frekuenca kombëtare qoftë analoge qoftë edhe numerike, në se do të ketë hyrë në fuqi ligji i ri për transmetimet numerike, si dhe për të parë mundësinë e dhënies së liçensave të tjera lokale në zonat ku ka mundësi teknike për të dhënë liçensa të tilla. Në të njëjtën kohë, duhet që të respektohet një konkurrencë e drejtë midis operatorëve radioteleviziv pra të gjithë të respektojnë dhe të përfitojnë në përputhje me kushtet e liçensës që kanë marrë sipas legjislacionit në fuqi për mediat audiovizuale.

Zëri i Amerikës: Zoti Bianku, është tashmë një realitet që ekziston prej vitesh, ku pjesa dërrmuese e operatorëve transmetojnë jashtë zonave të tyre të liçensimit dhe institucioni që ju drejtoni praktikisht ka qenë i pafuqishëm për të ndërhyrë. Sa jeni ju të vendosur t’i shkoni deri në fund sepse bëhet fjalë edhe për interesa financiare të investimeve që janë kryer.

Ledio Bianku: Absolutisht që është e vërtetë që institucioni ynë është ballafaquar me një pafuqishmëri pothuajse totale për të hequr sidomos operatorët që transmetojnë jashtë zonave të liçensimit. Filozofia e re që kemi adoptuar me një vizitë të plotë territoriale, pra duke filluar që nga veriu në jug, duke shkuar në të gjitha pikat e transmetimit me një plan të hartuar nëpër zyrat nga teknikët e KKRT-së i cili do të zbatohet pa asnjë lloj diskriminimi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ndaj kujtdo, do të përbëjë pikërisht elementin thelbësor të kësaj filozofie të re. Ne jemi të vendosur që të heqim të gjitha ato transmetime të paligjshme ose të sanksionojmë të gjitha ato transmetime që nuk bëhen aty ku duhet të bëhen pa patur asnjë lloj diskriminimi për të gjithë operatorët dhe shpresojmë që në këtë mënyrë do të ofrojmë një treg audiovisual shumë më të drejtë, shumë më konkurencial dhe kushte të barabarta për të gjithë operatorët. Kjo do na ofrojë mundësi që të ofrojmë edhe liçensa të reja kombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Bianku si do të mund të zgjidhni ju situata të tilla ku, po sipas të dhënave të institucionit tuaj, edhe televizionet kombëtar nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre, ndërkohë që televizione të tjera që kanë aktualisht shtrirje të gjerë nuk marrin dot liçensë kombëtare?

Ledio Bianku: Pikërisht kjo është edhe llogjika e planit. Për të parë pra se kush ka dalë jashtë zonës dhe kush nuk arrin që të mbulojë zonat në mënyrë që duhet të mbulojë, për të bërë një vlerësim total të realitetit pra të atij që gjendet në terren dhe jo të atij që gjendet vetëm në zyrat e KKRT-së dhe për të ofruar një garë më të drejtë pasi mesa shihet ka operatorë që duan të shtrihen më shumë sesa ç’kanë marrë lejen nga KKRT-ja dhe mesa duket ka operatorë që nuk arrijnë të përmbushin kriteret e licenses së tyre. Pra ky është kriteri i një gare të drejtë edhe të barabartë për të gjithë pa asnjë lloj diskriminimi. Më vjen keq kur dëgjojë nga media të ndryshme që kjo është një tentativë për të hequr transmetimet ose për të bllokuar të drejtën e informacionit ndaj operatorëve të veçantë. Asnjë operatori nuk do t’i preket e drejta e tij e transmetimit sipas kushteve që ka në liçensë dhe kjo është në mënyrë absolute e garantuar nga KKRT.

Zëri i Amerikës: Si e garantoni ju se kjo ndërhyrje do të jetë pa diskriminim dhe e barabartë për të gjithë operatorët?

Ledio Bianku: Në mënyrë periodike ne do japim të dhëna në lidhje me kontrollin e çdo pike të transmetimit për të gjithë operatorët që tranmetojnë nga ajo pikë transmetimi. Publiku do informohet vazhdimisht se cilët kanë qënë operatorët që transmeton nga secila prej pikave dhe cilat kanë qënë sanksionet dhe për secilin prej këtyre operatorëve natyrisht që është e hapur rruga e ankesës qoftë në KKRT qoftë edhe në gjykatë për të vlerësuar pastaj edhe gabimet e mundshme të cilat po përpiqemi natyrisht ti shmangim gjithnjë e më tepër për këto ankime do të ofrojnë edhe garancinë procedurale për të mos patur diskriminime apo trajtime diferencuese midis operatorëve.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit pati një debat shumë të fortë lidhur me një projektligj për transmetimet numerike, për të cilin tani pritet edhe një mendim nga komisioni europian. Ju si e vlerësoni atë. A duhet të mbajë parasysh realitetin ku prej disa vjetësh ekziston një operator dhe nga ana tjetër sa i ka mundësitë institucioni juaj për ta zbatuar atë, pasi dyshime për këtë janë hedhur nga anëtarë të KKRT-së?

Ledio Bianku: Ligji për transmetimet numerike duhet thënë se është i vonuar në Shqipëri duke patur parasysh edhe situatën praktike që është krijuar në Shqipëri prej vitesh por edhe të gjithë trendin e zhvillimit në tregun europian audiovizual edhe më gjerë. Nga kjo pikëpamje përpjekja për të hartuar një ligj të ri për transmetimet audiovizuale është e lavdërueshme madje e vonuar. Që në javët e para kur Këshilli i ri erdhi në detyrë i kemi kërkuar Kuvendit që të fillojë me të gjitha përpjekjet e tij në mënyrë që të hartohet një ligj i ri, ne pretendojmë gjithsesi integral pra përfshirë edhe legjislacionin për transmetimet numerike edhe analoge e të tjera. Një ligj i ndërmjetëm për transmetimet numerike kam përshtypjen se i hap mundësinë futjes së operatorëve të tjerë përveç operatorëve ekzistues në treg për të garuar në një fazë më të shpejtë do ta lejonte adoptimi i një ligji diku nga nëntori ose nga dhjetori dhe nga ana tjetër garanton marrëdhënien juridike që është ndërkaq krijuar ndërmjet operatorit dixhital ose numerik në Shqipëri që është DigitAlbi dhe të gjithë konsumatorëve shqiptarë. Pra nga kjo pikëpamje ligji është një përpjekje mjaft e lavdërueshme. Ne besojmë edhe me komentet që instutucioni ynë KKRT-ja i ka bërë ligjit me sygjerimet që i ofrojë komisionit të medias në lidhje me amendime të ligjit, besojmë që është një ligj i mire që respekton në parim standartet evropiane dhe e tillë ishte edhe ekspertiza e OSBE-së në këtë drejtim, presim tani siç dihet edhe ekpertizën e Bashkimit Evropian dhe në të njëjtën kohë që në strukturën që kemi shtruar për miratim në Kuvendin e Shqipërisë që në tetor të vitit që shkoi dhe që u miratua në dhjetor ne kemi pretenduar ngritjen e kapaciteteve të KKRT-së që të jemi të aftë që të përbushim të gjitha obligimet ligjore për një teknikë të re të transmetimit siç është ajo e transmetimit numerik dhe kjo është sfida më e madhe e institucionit për momentin. Pra të përpiqet të përballë të gjitha pretendimet qoftë të operatorëve, qoftë publikut për të garantuar kushte të barabarta dhe të drejta të tranmetimeve analoge ose numerike në tregun audiovizual shqiptar.

XS
SM
MD
LG