Lidhje

Debat diplomatësh mbi rolin e Rusisë në statusin e Kosovës


Diplomati austriak, Wolfgang Petrich tha sot në Prishtinë se për Rusinë është më e rëndësishme të ruajë marrëdhëniet e mira me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara sesa të përdorë veton për çështjen e Kosovës. Ai i bëri këto komente në një konferencë me temën "Roli i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në njohjen e pavarësisë së Kosovës" I organizuar nga kolegji universitar “Victory”. Zoti Petrich, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën, tha se tash është hapur kapitulli i fundit i çështjes së Kosovës dhe të gjithë duhet të respektojnë punën e Këshillit të Sigurimit i cili duhet të marrë vendim historik dhe kjo kërkon kohë. “Qartazi nuk duhet të flasim për afate, por për cilësinë e vendimit. Vendimi i mirë është aq i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës. Qartazi që duam të shohim një vendim të shpejtë por më e rëndësishmja është që të jetë vendim i mirë”.

Ai u shpreh i bindur se Rusia ka interes që të jetë konstruktive në Këshillin e Sigurimit për të gjitha çështjet ku ajo është e përshirë siç janë Çeçenia apo të tjera, ndërsa nënvizoi se përdorimi i se drejtës së vetos, të cilën e ka Rusia, duhet të jetë çështje e shqyrtimit të kujdesshëm. “Për Rusinë, marrëdhëniet e mira me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara në afat më të gjatë janë më të rëndësishme sesa përdorimi i vetos në rastin e Kosovës”, tha ambasadori Petrich.

Ish ministri i jashtëm i Shqipërisë Paskal Milo, tha ndërkaq se kombi shqiptarë ndodhet në një periudhë krejt të ndryshme nga ajo e para 100 viteve dhe tash çështja e Kosovës është në prag të zgjidhjes përfundimtare. Ai tërhoqi vërejtjen se qëndrimin e Rusisë ndaj çështjes së Kosovës dhe pavarësisë së saj shqiptarët nuk duhet ta shohin si një qëndrim emocional apo solidaritet sllav. “Unë besoj se Rusia tashmë e ndodhur në një proces rigjallërimi, ri fuqizimi, kërkon të dëshmojë se është një fuqi globale me interesa po globale dhe me një influencë gjithnjë në rritje në problemet e mëdha ndërkombëtare”, tha zoti Milo.

Ai është i bindur se Rusia dëshiron ta shfrytëzojë çështjen e Kosovës për të dhënë porosi se pa bashkëpunimin me të nuk mund të zgjidhen problemet që shqetësojnë njerëzimin. Por ai tha se Rusia nuk do të sakrifikojë interesat e saj për një çështje që dihet nga të gjithë se është e humbur për Serbinë. Ai tha se shqiptarët të gjithë së bashku duhet të ruajnë qetësinë sepse e tëra është çështje kohe dhe një muaj më pak apo dy më shumë nuk kanë shumë rëndësi kundruall zgjidhjes përfundimisht strategjike të statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG