Lidhje

SHBA: Gjashtë persona arrestohen në Nju Xhërsi për komplot kundër ushtarëve në bazën Fort Dix


Gjashtë persona të cilësuar nga prokurorët federalë si radikalë islamikë do të dalin sot para një gjykate amerikane në Kamden të shtetit Nju Xhërsi, të akuzuar se po bënin plane në bashkëpunim për të sulmuar ushtarët në bazën Fort Dix.

Një zëdhënës i zyrës së prokurorit amerikan, tha se 4 prej të dyshuarve ishin të lindur në ish Jugosllavi, njëri në Jordani dhe tjetri në Turqi.

Akuza identifikon katër prej tyre me këta emra: Dritan Duka, Elvir Duka, Shain Duka dhe Agron Abdullahu. Autoritetet amerikanë thanë se gjashtë të dyshuarit po planifikonin të hynin në bazën ushtarake dhe të vrisnin sa më shumë ushtarë amerikanë.

Zyrtarët i arrestuan personat mbrëmë pasi ata u përpoqën të blinin armë automatike nga një shitës armësh, i cili në fakt bashkëpunonte me autoritetet federale. Arrestimet u bënë në kuadër të një hetimi të përbashkët federal dhe lokal.

Zyrtarët thanë se personat e arrestuar kishin muaj që po i praktikonin planet. Sipas zyrtarëve, shumica e të dyshuarve kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë, disa prej tyre ishin shtetas amerikanë dhe disa të tjerë imigrantë të paligjshëm.

Gazeta lokale The Star-Ledger njofton se 6 të dyshuarit i kishin regjistruar në video sesionet e tyre të praktikës dhe gabimisht e çuan videon në dyqan për të bërë një kopje në DVD. Sipas gazetës, një punonjës i dyqanit njoftoi Byronë Federale të Hetimeve, FBI. //rd//

XS
SM
MD
LG