Lidhje

Nënpresideni Çejni i jep fund vizitës në Lindjen e Mesme


Mbreti Abdullah i Jordanisë i kërkoi Nënpresidentit amerikan Dik Çejni të japë ndihmesën e tij në rigjallërimin e procesit të pezulluar të paqes në Lindjen e Mesme.

Ai i bëri këto komente sot, gjatë bisedimeve Çejni-Abdullah, të cilat u përqëndruan edhe tek Iraku dhe Irani. Në takimin e zhvilluar në kompleksin mbretëror në pikën e pushimit të Akaba-s, udhëheqësi jordanez i kërkoi zotit Çejni të ndihmojë në çuarjen përpara të procesit të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, që sipas tij është në gjendje “pezull”.

Vizita e zotit Çejni në Jordani është ndalesa e fundit e turneut të tij në Lindjen e Mesme, ku ai po kërkon mbështetje në përpjekjet për stabilizimin e Irakut. Gjatë kthimit për në Shtetet e Bashkuara, Nënpresidenti u tha gazetarëve se gjatë turneut të tij, kishte siguruar mbështetjen e vendeve arabe për politikën amerikane në Irak.

Ai tha se kjo mbështetje nuk është e kushtëzuar nga përparimi në procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Në turneun e tij në Lindjen e Mesme, zoti Çejni, po ashtu vizitoi Irakun, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin. Bisedimet me udhëheqësit e këtyre vendeve, veç Irakut, përfshinë edhe atë që ai e cilësoi përpjekje e Iranit për të sunduar rajonin.//lk

XS
SM
MD
LG