Lidhje

Senati amerikan voton për të filluar debatin mbi reforma në imigracion


Senati amerikan përdori dje një votë proceduriale për t’i hapur rrugën fillimit të një debati mbi një kompromis për reforma në politikat e imigracionit. Kompromisi u bë i ditur nga një grup senatorësh nga të dyja partitë kryesore dhe Shtëpia e Bardhë javën e kaluar. Nuk është e qartë se cilat janë shanset që të arrihet një marrëveshje, pasi reforma e propozuar ka kundërshtarë si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët.

Kompromisi për reforma në imigracion parashikon forcimin e kontrollit të kufirit dhe një plan kompleks për të gjetur një zgjidhje për 11 deri në 12 milionë imigrantët e paligjshëm që janë aktualisht në Shtetet e Bashkuara, si dhe për të sqaruar të ardhmen e imigrantëve që duan të vinë në këtë vend për të punuar.

Përkrahësit e planit thonë se ai ofron shpresën më të mirë për të reformuar sistemin amerikan të imigracionit para se të fillojnë fushatat për zgjedhjet presidenciale dhe për Kongres që zhvillohen vitin e ardhshëm. Senatori Red Kenedi, demokrat nga Masaçusets, po i bën thirrje Senatit ta miratojë këtë plan:

"Ky projektligj përmbush synimet tona thelbësore: ai ofron masa të forta sigurie në kufi dhe në vendin e punës. Ai krijon një rrugë realiste për sigurinë familjare dhe mundësinë për shtetësi për miliona burra, gra dhe fëmijë që ndodhen këtu aktualisht; po ashtu ky plan na ofron një sistem të ri për të dhënë viza në të ardhmen, të cilat bazohen në idenë e ruajtjes së familjes dhe të përmbushjes së nevojave ekonomike të vendit," thotë Senatori Kenedi.

Por plani ka ndeshur në kritika nga të dyja anët e spektrit politik. Shumë republikanë janë kundër idesë që punonjës pa dokumenta të kenë mundësinë të fitojnë një status të ligjshëm për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara, pasi të marrin një vizë katër vjeçare të kategorisë Z, e cila mund të rinovohet. Kritikët e cilësojnë këtë hapërsirë që parashikon projektligji si një shpërblim për imigrantët që janë futur në mënyrë që paligjshme në Shtetet e Bashkuara. Senatori Xhim Banings është republikan nga shteti Kentaki:

"Nuk ka rëndësi se çfarë emri i vë, qoftë vizë X,Y, apo Z, ky projektligj do t’u japë amnisti miliona imigrantëve të paligjshëm në këtë vend," thotë Senatori Baning.

Në bazë të kompromisit të arritur, personat që do të marrin vizën Z, kanë edhe të drejtë të paraqesin kërkesë për të marrë leje për banim të përhershëm dhe me kalimin e kohës edhe për shtetësi, pasi të përmbushin një numër kushtesh, përfshirë pagesë gjobash dhe të mësojnë anglishten. Kryefamiljarët do të duhet të ktheheshin fillimisht në atdheun e tyre.

Shumë demokratë kritikojnë atë pjesë të kompromisit që parashikon krijimin e një programi për punonjës sezonalë, i cili do t’u jepte mundësi imigrantëve të vijnë në Shtetet e Bashkuara për të punuar për deri në 2 vjet. Këta imigrantë mund të shtyjnë afatin e vizës dy herë, por vetëm nëse janë kthyer për të jetuar së paku për një vit në vendin e tyre, sa herë u skadon viza e mëparshme. Ata nuk do të kenë të drejtën të kërkojnë leje për banim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara. Senatori Patrik Lehi, demokrat nga shteti Vermont, është kundër kësaj ideje:

"Kjo ka rrezik të krijojë një nënklasë të përhershme punëtorësh me të drejta të kufizuara. Programi për punëtorë sezonalë, të cilëve nuk u njihet e drejta për të gëzuar premtimet që ofron Amerika, krijon një nxitje për të shkelur afatin e vizës dhe mbart rrezikun e krijimit të një popullate të re individësh pa dokumenta," thotë Senatori Lehi.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Heri Rid, demokrat nga shtetit Nevada, shpreh të njëjtin shqetësim si Senatori Lehi, por e cilëson kompromisin si një hap i parë për të debatuar reformimin e politikave të imigracionit. Senatit pritet të hedhë në votë planin pasi ligjvënësit të kthehen nga një pushim një-javor në qershor. Dhoma e Përfaqësuesve do ta debatojë atë brenda disa muajsh. //ad//

XS
SM
MD
LG