Lidhje

SHBA mbështet Shqipërinë në luftën kundër trafikut njerëzor


Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International, në raportin e saj për vitin 2006, të bërë publik sot, përmend si problemet kryesore në Shqipëri, dhunën ndaj grave, keqtrajtimin e të ndaluarve nga policia, gjendjen e keqe në mjediset e vuajtjes së dënimit, si dhe trafikun njerëzor. Në Shqipëri, thotë organizata, dhuna ndaj grave e fëmijve në familje, vazhdon të jetë e përhapur në masë, dhe njoftimet rreth saj janë më të ulta se realiteti. Në dhjetor, parlamenti miratoi ligjin mbi masat e dhunës në familje të hartuar nga një grup organizatash jo-qeveritare. Megjithë masat e shtuara dhe disa herë të suksesshme kundër trafikimit, Shqipëria, thuhet në raportin e Amnesty International, vazhdon të jetë një vend burim për trafikim femrash, shpesh të mitura, për shfrytëzim seksual. Po ashtu shumë fëmijë roma, vazhdojnë të trafikohen ose të shfrytëzohen për të lypur, për punë të lirë, për krime ose për birësime... Lufta kundër trafikut njerëzor në Shqipëri, ishte dje në qendër të nje seance dëshmish në Komisionin amerikan të Helsinkit. Folësit në takim vunë në dukje përpjekjet që ka bërë vendi gjatë dy viteve të fundit dhe ndihmesën që i kanë dhënë Shqipërisë Shtetet e Bashkuara dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare në luftën kundër këtij fenomeni.

Vitet e fundit, Departamenti amerikan i Shtetit e ka kategorizuar Shqipërinë në grupin e dytë për sa i përket trafikut njerëzor, që do të thotë se vendi ende nuk plotëson standardet minimale për eliminimin e këtij trafiku, por ka bërë përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim. Duke qënë në të kaluarën një vend tranziti, trafikantët e shikojnë sot Shqipërinë si burim trafiku të grave dhe fëmijëve për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar, përfshirë edhe fëmijët romë si lypsa.

Iva Zajmi, zëvendës ministre e Brendëshme e Shqipërisë dhe Koordinatore Kombëtare për Luftën Kundër Trafikut Njerëzor vuri në dukje masat që janë marrë gjatë dy viteve të fundit për të ndaluar trafikimin e grave dhe fëmijëve.

“Ne kemi krijuar një mekanizëm në shkallë kombëtare për raportimin e rasteve të trafikimit dhe kemi vendosur lidhje me mekanizma të ngjashme në rajon, sidomos me vendet fqinje, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë. Ne jemi përpjekur të forcojmë masat në kufi, për të bllokuar trafikimin në origjinë tranzit apo destinacion”.

Shqipëria është një vend që nuk ka ligje për dënimin e trafikimit të qënieve njerëzore. Zonja Zajmi tha se që nga caktimi i saj në këtë detyrë, ajo i ka bërë thirrje qeverisë të hartojë ligje për ndalimin e trafikimit njerëzor dhe komisioni parlamentar i ligjeve është duke punuar në këtë drejtim.

Ernest Allen, President i Qendërs për Fëmijët e Humbur dhe të Shfrytëzuar, vuri në dukje përparimin e lavdërueshëm që ka shënuar Shqipëria këto dy vitet e fundit, edhe pse ende mbetet shumë për t’u bërë. Ai vuri në dukje faktin se pse Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar i kushtojnë kaq shumë rëndësi Shqipërisë.

“Kombet e Bashkuara e kanë kategorizuar Shqipërinë si një nga 10 vendet kryesore të origjinës së trafikimit së grave dhe fëmijëve për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar në Greqi dhe Itali”.

Zoti Allen tha se qeveria shqiptare ka marrë një sërë masash të forta në luftën kundër trafikimit njerëzor, duke përfshirë edhe dënimet nga 5 deri në 10 vjet e më shumë burgim për individët që kapen duke ushtruar trafikimin e qënieve njerëzore. Kjo lloj industrie, tha ai, është tejet fitimprurëse dhe jo e rezikshme financiarisht. Zoti Allen theksoi se janë pikërisht masat për shtimin e kësaj rezikshmërie dhe kufizimi i përfitimeve, një armë tjetër për luftimin e trafikut njerëzor.

Bruce Hintz, Koordinator i Ndihmës së Departamentit amerikan të Drejtësisë për vendet evropiane dhe euroaziatike pranë Departamentit të Shtetit tha se hapi i parë tepër i rëndësishëm që hodhi Shqipëria në luftën kundër trafikimit njerëzor ishte bllokimi i të gjitha skafeve, ndërsa Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë ndihmë Shqipërisë në një sërë fushash, nga kontrolli i kufijve tek goditja e krimit të organizuar.

“Në kuadrin e programit tonë për Shqipërinë ne jemi përqendruar në pesë aspekte, kontrolli i kufijve, krimi i organizuar, përgatitja teorike dhe stërvitja e punonjësve të rendit, përgjegjësia profesionale për organizimin dhe efikasitetin e burimeve njerëzore, si dhe zhvillimi i një sistemi menexhimi për informimin e policisë në Shqipëri”.

Misioni amerikan në Shqipëri, tha zoti Hintz, i ka indentifikuar këto fusha si tepër kritike për sigurimin dhe shtetin juridik, që janë esenciale për zhvillimin e përgjithshëm të vendit dhe synimin e tij për të hyrë në aleancën e NATO-s dhe në Bashkimin Evropian, si dhe në strukturat e tjera euro-atlantike. //iç//

XS
SM
MD
LG