Lidhje

Fituesi i çmimit "Sfida Grainger" për filtrimin e ujit


Dy vjet më parë, Akademia Kombëtare e Inxhinierisë themeloi çmimin e quajtur Grainger Challenge prej një milion dollarësh, i cili stimulon shkencëtarët në të gjithë botën të krijojnë një sistem praktik për filtrimin e ujit. Fjala është për filtrimin e ujit nga arseniku sidomos në vendet në zhvillim. Fitues është një kimist nga Bangladeshi i cili tani jeton në Shtetet e Bashkuara.

Uji i pijshëm që përmban arsenik prek dhjetra milionë njerëz, veçanërisht në vendet në zhvillim ku impjantet për trajtimin e ujit janë shumë të shtrenjta për t’u përdorur gjerësisht. Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi të shëndetit publik, Abul Hussam zhvilloi një sistem të thjeshtë dhe shumë pak të kushtueshëm për filtrimin e ujit – ide që i dha atij çmimin e rëndësishëm Grainger Challenge.

“Analizuam ujin dhe analizat e para i bëmë në familjen time në Bangladesh ku kemi përdorur të njëjtin burim për gati 20 vjet. Në të gjetëm arsenik. Pra kemi pirë ujë të ndotur për një kohë të gjatë, familja ime dhe fqinjët tanë”.

I lindur në Bangladesh, Hussam erdhi në Shtetet e Bashkuara për të marrë doktoraturën në kiminë analitike. Për dy dekada ai ka dhënë mësim në Universitetin George Mason në Virginia. Pasioni i tij janë kërkimet që lidhen me mjedisin. Ai ka harxhuar disa vite për të zgjidhur problemin e arsenikut, duke testuar qindra sisteme filtrimi.

“Dëgjova pastaj për çmimin Graiger Challenge. Komuniteti i inxhinierëve amerikanë sfidoi të gjithë shkencëtarët në këtë vend për të ndërtuar një sistem filtrimi me kosto të ulët, që mund të rezistojë dhe të punojë pa energji elektrike. Gjithashtu sistemi i filtrimit duhet të jetë miqësor për mjedisin duke mos prodhuar mbetje të dëmshme për të”.

Risia e tij është filteri SONO, sistem që nuk kërkon mirëmbajtje dhe që përdor rërë, qymyr, copa tulle dhe hekur poroz. Filtri heq pothuajse çdo gjurmë të arsenikut nga puset e ujit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se vetëm në Azinë Jugore gjysmë miliardë njerëz janë të ekspozuar ndaj ujit me arsenik, por porblemi është i përhapur në mbarë botën.

XS
SM
MD
LG