Lidhje

Pano: Një Shqipëri e qendrueshme ka rëndësi për rajonin


Profesor Nikolla Pano, një ndër personalitetet e njohura shqiptaro-amerikane, thotë se Shtetet e Bashkuara presin që Shqipëria të bëjë hapa përpara përsa i përket stabilitetit të brendshëm dhe do të ndjekin me kujdes për të parë se si shqiptarët do ta zgjidhin çështjen e zgjedhjes së presidentit në muajin korrik. Ai thotë se SHBA e kuptojnë se një Shqipëri e qendrueshme ka rëndësi për ruajtjen e qendrueshmërisë në rajon.

Zëri i Amerikës: Nga pikpamja e Shteteve të Bashkuara, sa të rëndësishme janë marrëdhëniet me Shqipërinë?

Nikolla Pano: Shtetet e Bashkuara i shohin si diçka me vlerë marrëdhëniet me Shqipërinë. Siç e përmenda, Shqipëria po jep kontribut të ndjeshëm në luftën kundër terrorizmit. Ato e kuptojnë se një Shqipëri e qendrueshme ka rëndësi për ruajtjen e qendrueshmërisë në rajon. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë gjithashtu faktin se shqiptarët kanë ndjekur atë që unë do ta quaja një politikë të përgjegjëshme lidhur me Kosovën. Shtetet e Bashkuara i vlerësojnë të gjitha kontributet që japin shqiptarët për qendrueshmërinë në Evropën juglindore.

Zëri i Amerikës: Çfarë i shtyu Shtetet e Bashkuara që të insistojnë dhe të veprojnë për të çliruar shqiptarët e Kosovës dhe për të kërkuar pavarësinë e tyre?

Nikolla Pano: Ka një numër faktorësh që e kanë bërë këtë: së pari, çështja e Kosovës u soll në vemendjen e qeverisë dhe të publikut amerikan nga organizatat brenda komunitetit shqiptaro-amerikan, si Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, studiues shqiptaro-amerikanë si Peter Prifti, Elez Biberaj, Sami Repishti dhe mund të përmend edhe të tjerë, duke përfshirë veten time, që kanë marrë pjesë aktivisht në diskutimet për çështjen e Kosovës në konferencat studimore. Por ajo që i bëri gradualisht Shtetet e Bashkuara të merrnin një qendrim të vendosur rreth Kosovës ishin politikat e ashpra të qeverisë jugosllave ndaj Kosovës sidomos gjatë periudhës së mesit të viteve 80 me ngritjen në pushtet të Sllobodan Millosheviçit. Millosheviçi ndoqi një politikë mjaft drastike ndaj shqiptarëve duke i privuar sistematikisht nga të drejtat civile. Si rrjedhojë, marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe qeverisë jugosllave u keqësuan. Kur Jugosllavia filloi të shpërbëhej dhe kur njësitë e saj përbërëse nisën të shkojnë drejt pavarësisë, gjendja e shqiptarëve të Kosovës u keqësua deri në atë pikë saqë shtypja ndaj kosovarëve u bë e njohur gjerësisht në komunitetin ndërkombëtar. Përmes përpjekjeve të organizatave të të drejtave të njeriut në Shtetet e Bashkuara dhe kudo në botë, gradualisht filloi të formohet pikëpamja sidomos në Shtetet e Bashkuara, se çështja e Kosovës duhej zgjidhur. Kjo arriti pikën kulmore me përpjekjet serbe për të kryer spastrim etnik në Kosovë, me bombardimet e marsit dhe më në fund me vendosjen e administratës së UNMIK-ut në Kosovë. Kjo ishte një zgjidhje e përkohshme dhe që nga miratimi i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, janë bërë gradualisht përpjekje për ta përgatitur Kosovën për vetvendosje ose pavarësi. Në këtë aspekt, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol shumë aktiv. Sot Shtetet e Bashkuara së bashku me vendet e Bashkimit Evropian janë bërë mbështetësit kryesorë të pavarësisë së Kosovës, të cilën ajo e meriton.

Zëri i Amerikës: Shqiptaro-amerikanët shikojnë me shumë shqetësim se tranzicioni në Shqipëri po zgjat shumë dhe se luftrat politike të pafund po e dobësojnë aftësinë e vendit për të thithur investime të huaja. A përbën kjo shqetësim për ju?

Nikolla Pano: Nuk ka dyshim se procesi i tranzicionit ka qenë i gjatë dhe i dhimbshëm. Natyrisht 10-15 vjet janë një periudhë e gjatë kohe megjithatë gjatë kësaj periudhe ka patur përparime në shumë aspekte të jetës shqiptare. Shqipëria ka realizuar kalimin nga diktatura njëpartiake tek një shtet demokratik shumëpartiak. Sistemi ekonomik është transformuar nga një ekonomi e komanduar socialiste në një ekonomi të tregut të lirë. Ka patur një rritje në aspektin e lirive personale. Ka patur përparim social në sfera të tilla si arsimi. Ka patur arritje të jashtëzakonshme për sa i përket ekonomisë. Mjafton të shikosh standardin e jetesës që mbizotëronte në Shqipëri në 1989 ose 1990 dhe ta krahasosh me gjendjen ekonomike të vendit sot. Sipas të gjitha këtyre kritereve ka patur përparim të dukshëm. Nuk them se kjo ka qenë e mjaftueshme sepse tranzicioni demokratik nuk ka përfunduar ende. Ekzistojnë ende rivalitete të ashpra politike dhe partitë nuk janë të afta të bashkëpunojnë. Shteti ligjor ende nuk është vendosur, ka ende korrupsion në qeveri dhe në biznes si dhe në aspekte të tjera të jetës shqiptare. Shumë të rinj shqiptarë e ndjenë veten të mënjanuar nga shoqëria. Të gjitha këto çështje është e nevojshme të përballohen, kërkohen përmirësime në gjendjen shëndetësore të popullatës, siç tregon edhe raporti i fundit i Organizatës Save the Children. Në të njëjtën kohë, kjo gjendje nuk është e panjohur për qeverinë. Ajo është shumë e ndjeshme ndaj këtyre shqetësimeve. Qeveria e kryeministrit Sali Berisha po bën përpjekje të bashkërenduara për të luftuar korrupsionin, për të përmirësuar sistemin kombëtar të arsimit. Ka gjithashtu shqetësime për gjendjen shëndetësore në vend. E rëndësishmja është se ekzistenca e këtyre problemeve pranohet dhe ka përpjekje për t’i zgjidhur ato. Mendoj se qeveria duhet të jetë e kujdesëshme në drejtimin që ndjek për t’u përballur me këto probleme, duhet të jetë e kujdesëshme që të mbrojë të drejtat individuale të njerëzve dhe të drejtat e partive të opozitës. Sidoqoftë, qeveria i ka bërë hapat e fillimit dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Këto ndryshime që ka ndërmarrë qeveria, që kërkojnë dhe meritojnë njerëzit, janë ndër elementët e domosdoshëm që Shqipëria të realizojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Zëri i Amerikës: Çfarë presin Shtetet e Bashkuara nga Shqipëria për të ardhmen?

Nikolla Pano: Shtetet e Bashkuara presin që Shqipëria të bëjë hapa përpara në mënyrë që qendrueshmëria e vendit të përmirësohet. Shtetet e Bashkuara do të ndjekin me kujdes për të parë se si shqiptarët do ta zgjidhin çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri në muajin korrik, pra nëse do të mund të realizohet kjo pa trazirat politike që kanë shoqëruar episode të tjera të jetës politike shqiptare. Shtetet e Bashkuara do të ndjekin me kujdes gjendjen në Shqipëri për të përcaktuar nëse Shqipëria do të jetë ose jo në gjendje të kryejë reformat ushtarake që e kualifikojnë për anëtarësim në NATO si dhe reformat e kërkuara shoqërore, juridike dhe politike. Pra mendoj se Shtetet e Bashkuara e shohin Shqipërinë si një element të rëndësishëm qendrueshmërie në Evropën juglindore dhe për këtë arësye ato i vlerësojnë marrëdhëniet me Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Si e shikoni të ardhmen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë tani që Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e një Evrope të Bashkuar.

Nikolla Pano: Ndërkohë që Shqipëria bëhet gjithnjë e më e lidhur me Evropën në procesin e anëtarësimit të saj në BE, Shqipëria do ta drejtojë vështrimin më shumë se më parë drejt Evropës. Do të ketë një masë më të madhe shkëmbimesh ekonomike. Nga pikpamja ekonomike nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh në marrëdhëniet me Amerikën e cila natyrisht nuk është një nga tregjet kryesore për Shqipërinë. Por në të njëjtën kohë do të ketë shkëmbime kulturore, komuniteti shqiptaro-amerikan do të vazhdojë të jetë një urë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.//ii

XS
SM
MD
LG