Presidenti Bush ndodhet në Romë për bisedime me zyrtarët italianë sot rreth Afganistanit, Libanit, Iranit, Ballkanit dhe Kosovës. Presidenti dhe bashkëshortja e tij, Laura, kanë në plan gjithashtu të takohen me Papa Benediktin në Vatikan.
Mijëra oficerë sigurimi janë në krye të detyrës në kryeqytetin e Italisë, ku pritet të ketë demonstrata anti-amerikane. Njerëz të shumtë nga e gjithë Italia po mbrrijnë në Romë me tren për një protestë kundër vazhdimit të pranisë së forcave amerikane në Irak dhe dislokimit të trupave të Italisë në Afganistan.
Presidenti mbrriti në Romë mbrëmë pasi mori pjesë në sesionet përfundimtare të takimit të nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes në Gjermani dhe pas një ndalese në Poloni.
Presidenti Bush dhe presidenti i Polonisë, Leh Kazinski u përpoqën të qetësonin shqetësimet ruse rreth sistemit amerikan kundër raketave. Sipas planeve, Shtetet e Bashkuara do të ndërtonin një bazë radarësh në Republikën Çeke dhe një bateri raketash interceptuese në Poloni për të parandaluar ndonjë sulm nga Irani.
Duke folur nëpërmjet përkthyesit, presidenti Kazinski tha se Rusia nuk ka pse të ketë frikë nga raketat amerikane të dislokuara në Poloni.
“Sistemi nuk ka synime agresive. Ky është një plan që synon të përforcojë mbrojtjen e Evropës kundër rreziqeve, që rezultojnë nga fakti se jo të gjitha vendet e botës moderne janë të përgjegjshme, megjithëse këtu ne nuk përfshijmë Rusinë. Është fjala për shtete të tjerë.”
Presidenti Kazinski dhe presidenti Bush zhvilluan një konferencë shtypi në Gdansk të Polonisë, pasi zoti Bush mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të Tetëshes në Gjermani.
Presidenti Bush tha se vlerëson mbështetjen e udhëheqësit polak për sistemin e raketave.
“Ne do të negociojmë një marrëveshje të drejtë që shton sigurimin e Polonisë dhe të gjithë kontinentit evropian kundër regjimeve të papërgjegjshm, që mund të jenë të gatshme t’u bëjnë shantazh vendeve të lira. Ky është pikërisht kërcënimi real i shekullit të 21-të.”
Presidentët Bush dhe Putin u takua të enjten në takimin e nivelit të lartë të Tetëshes, ku udhëheqësi rus ndërmori një hap të papritur, duke njoftuar se i pranonte planet amerikane, madje ofroi përdorimin e një sistemi radarësh në Azerbaixhan, i ndërtuar në kohën e Bashkimit Sovjetik.
Duke folur nëpërmjet përkthyesit, presidenti Putin tha se e kishte diskutuar këtë ide me presidentin e Azerbaixhanit.
“Marrëveshja ekzistuese me Azerbaixhanin e bën të mundur për ne që të bashkohemi në planet për dislokimin e sistemit mbrojtës nga raketat. Presidenti i Azerbaixhanit theksoi mbështetjen e tij për të kontribuar drejt kauzës së sigurimit dhe stabilitetit global.”
Presidenti Putin u tha gazetarëve dje në Gjermani se sistemi amerikan kundër raketave mund të dislokohet në Turqi ose në Irak. Ai tha se përdorimi i sistemit të radarëve në Azerbaixhan do ta bënte të panevojshëm dislokimin në Poloni dhe Republikën Çeke.
Nëse oferta e tij pranohet, presidenti Putin tha se nuk do ta vëjë Evropën në shënjestër të raketave ruse. Ndërkaq, presidenti Bush e cilësoi si një ide interesante propozimin rus për të përdorur sistemin e radarëve të epokës sovjetike. Të dy presidentët u angazhuan që ministrat e tyre të jashtëm dhe të mbrojtjes të takohen për të diskutuar mbi këtë çështje. //ze//