Sekretari amerikan i mbrojtjes Robert Gates i deklaroi homologut të tij rus se Shtetet e Bashkuara nuk do ta zëvendësojnë sistemin e planifikuar të mbrojtjes nga raketat në Evropën Lindore me propozimin e Moskës për përdorimin e një sistemi radari në Azerbajxhan për këtë qëllim. Pas një takimi të shefave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, zoti Gates tha se radari në Azerbajxhan mund të shërbejë si element shtesë por jo të zëvendësojë interceptorët e raketave në Poloni dhe një bazë radarësh në Republikën Çeke. Rezultatet e takimit dyditësh pasqyrojnë në fakt mbështetjen e planeve amerikane nga NATO-ja.
Rusia e priti në heshtje pohimin e Sekretarit të Mbrojtjes Robert Gates se administrata e Presidentit Bush nuk do ta zëvendësojë planin e saj për një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropën Lindore me kundërpropozimin e Moskës për instalimin e një sistemi radari në Azerbajxhan.
Zoti Gates u takua me Ministrin rus të Mbrojtjes, Anatoly Serdyukov, dhe u tha më pas gazetarëve se plani i shumë debatuar mbi mbrojtjen nga raketat nuk u përmend fare në bisedime. "Ta them sinqerisht, u befasova disi”, tha zoti Gates, i cili po merr pjesë në takimin dyditësh të ministrave të mbrojtjes të NATO-s. "Sinqerisht, nuk di se si ta kuptoj këtë,” tha shefi i Pentagonit.
Heshtja erdhi një ditë pas kritikave të ashpra të Rusisë ndaj planit amerikan e cila paralajmëroi se instalimet e reja raketore mund të vihen në shënjestër prej saj. Zoti Gates tha se nuk e kishte shtruar këtë çështje në bisedimet me zotin Serdyukov sepse, tha ai, “dje kishte folur shumë hapur për këtë gjë dhe nuk mendonte se ishte më nevoja". Por, tha ai, ata kishin folur mbi planet për takimin e ardhshëm mes Presidentit Bush dhe Presidentit rus Vladimir Putin në Kenibankport të Shteteve të Bashkuara, ku Kosova do të jetë mes çështjeve që do të diskutohen.
Ndërkohë, në komunikatën përfundimtare të ministrave të NATO-s thuhet se aleanca nuk do të lejojë asnjë kërcënim ndaj sigurisë në Kosovë dhe do të reagojë me shpejtësi dhe vendosmëri ndaj çdo provokimi. Komunikata u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë në mënyrë të moderuar dhe të përgjegjëshme.
NATO-ja thotë gjithashtu se do të vazhdojë të jetë e gatëshme për të zbatuar mandatin e saj kur Këshilli i Sigurimit të dalë me një rezolutë për statusin përfundimtar të Kosovës. Aleanca bën gjithashtu thirrje për një miratim të shpejtë të një rezolute për Kosovën. //rd//