Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Rusi hyjnë në një fazë të tensionuar


Marrëdhëniet dikur premtuese mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, kanë hyrë tani në një fazë të tensionuar. Acarimet u vunë re në deklaratat e udhëheqësve të dy vendeve javën e kaluar. Më pas në takimin e Grupit të Tetëshes në Gjermani, Rusia e lehtësoi disi tensionin kur Presidenti Vladimir Putin ofroi bashkëpunimin e tij në sistemin e mbrojtjes nga raketat. Por Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates është shprehur se nuk do ta zëvendësonte planin e saj për sistemin e mbrojtjes nga raketat me propozimin rus për instalimin për një sistem të tillë në Azerbaixhan.

Xhorxh Bushi dhe Vladimir Putini dukeshin të qetë dhe miqësore. Edhe në klimën e acaruar të diplomacisë për raketat, ata ishin në gjendje të bënin shaka.

Por marrëdhëniet dikur të ngrohta po vihen në provë, nga një mosmarrëveshje lidhur me raketat në Evropë dhe për shkak të shtimit të kontrollit të qeverisë së Presidentit Putin mbi shoqërinë ruse.

Në Rusi protestat kundër qeverisë janë tashmë diçka e zakonshme. Protestuesit ankohen për shtypjen e lirive civile nga Kremlini, të drejtave të shtypit dhe luftën kundër separatistëve çeçenë.

“Amerika është në gjendje të ruajë miqësinë dhe njëkohësisht ta nxisë një vend drejt demokracisë”.

Javën e kaluar në Çeki, presidenti Bush i shprehu hapur kritikat ndaj qeverisë së zotit Putin.

“Në Rusi, reformat që synonin të shtonin pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisje, janë ndërprerë me pasoja shqetësuese për zhvillimin demokratik”.

Studiuesja Irina Papkova e institutit Kennan në Washington mendon se Presidenti Bush kishte bërë gabim që ishte shprehur ashtu dhe thotë se nuk është e vështirë të argumentosh kundër kritikave të Presidentit Bush. Ajo përmend përmirësimin e ekonomisë ruse dhe shkallën e lartë të popullaritetit të zotit Putin. Ajo i krahason këto me luftën që Presidenti Bush ndërmori në Irak dhe me të dyshuarit për terrorizëm.

“Mendoj se deklaratat e Presidentit Bush përforcojnë në Rusi ndjesinë për të thënë: Kush je ti që na tregon sesi duhet të jetojmë?”.

Para dy javësh Presidenti Putin kërcënoi se do të drejtonte nga Evropa raketat bërthamore. Zyrtarët rusë thonë se propozimi amerikan për të vendosur një sistem radarësh në Çeki dhe 10 raketa interceptuese në Poloni mund të prishë balancën bërthamore mes Amerikës dhe Rusisë.

Por më pas zoti Putin me një veprim të befasishëm propozoi ngritjen e një sistemi radarësh në Azerbaixhan për të diktuar raketat iraniane. Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara do ta merrnin në konsideratë propozimin.

Kjo do të bënte të mundur që ne të mos ta ndryshonim qëndrimin për mbrojtjen e raketave tona”.

Ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Richard Holbrooke thotë se mosmarrëveshja për raketat është tregues i marrëdhënieve shumë të tensionuara.

“Dy qeveritë nuk kanë një komunikim të mirë në këtë moment. Secila palë është shumë e acaruar. Dhe nuk është Luftë e Ftohtë por ne duhet të punojmë së bashku ashtu siç bëmë në vitet 1990”.

Para ardhjes së Presidentit Putin në pushtet, Rusia ishte në vështirësi të mëdha ekonomike, e dalë nga sistemi i korruptuar sovjetik. Por gjatë viteve të presidencës së zotit Putin, ekonomia është forcuar ndjeshëm.

"Gjatë viteve të fundit Rusia është bërë më e fortë ekonomikihst. Ka më shumë besim dhe po përpiqet të ndjekë një politikë të jashtme më të pavarur”, thotë Igor Dançenko analist në Institutin Brookings.

Interesat e politikës së jashtme ruse janë në kundërshtim me ato amerikane lidhur me Kosovën, luftën në Irak dhe qëndrimin ndaj Iranit. Megjithatë udhëheqësit e dy vendeve vazhdojnë të kenë lidhje të forta.

“Presidenti Bush vazhdon të ketë marrëdhënie shumë të mira me Putinin. Ai e di që ia ka nevojën Vladimir Putinit për të realizuar synimet e Shteteve të Bashkuara për objektivat e politikës së jashtme. Nga ana e tij, Presidenti Putin e kupton rëndësinë e marrëdhënieve amerikano-ruse”, thotë zoti Dançenko.

Administrata e Presidentit Bush mendonte se kishte hyrë në fazë të re marrëdhëniesh pozitive me Rusinë. Në fakt bisedimet në takimin e tetëshes ishin në një frymë normale. Megjithatë ekspertët thonë se Rusia do të vazhdojë të sfidojë duke u nisur nga pozita e konsolidimit ekonomik. //kk//

XS
SM
MD
LG