Lidhje

Marrëveshje Shqipëri-Itali për luftën kundër krimit të organizuar


Në Tiranë u nënshkrua sot marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.

Marrëveshja e firmosur nga Ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe ambasadori italian Attilio Massimo Ianucci kishte kohë që diskutohej mes autoriteteve të të dy vendeve. Ajo parashikon ngritjen e grupeve të përbashkëta policore për hetimin e aktiviteteve kriminale të organizatave që veprojnë në Shqipëri dhe Itali.

Sipas saj, përfaqësues të policisë shqiptare do të marrin pjesë në hetimet që zhvillohen në Itali dhe që kanë si objekt elementë shqiptarë të përfshirë në trafiqe, dhe anasjelltas për hetimet që zhvillohen në territorin shqiptar.

Prej shumë vitesh, organizata kriminale shqiptarësh kanë lidhur raporte të forta me ato italiane duke zgjeruar aktivitetin vecanërisht në fushën e trafiqeve të klandestinëve, prostitucionit dhe sidomos atë të drogës.

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani e konsideroi aktin e sotëm si një hap të rëndësishëm përpara në bashkëpunimin për luftën kundër krimit e trafqieve për t'iu përgjigjur me të njejtën shkallë organizimi grupeve të trafikantëve.

Po sot në Shqipëri u realizua shitja për 120 milion euro e 76 përqind të aksioneve të Albtelekomit, kompanisë së telefonisë fikse në pronësi të shtetit shqiptar.

Shitja realizohet pas bisedimesh të gjata me kompaninë turke Çalik. Kontrata u nënshkrua sot nga ministri i Ekonomisë Genc Ruli. Në të vërtetë, kompania turke e kishte firmosur një herë blerjen e Albtelekmoit në vitin 2005, por me ndryshimin e qeverive, shumica e djathtë e ardhur në pushtet e kundërshtoi duke hapur negociata të reja me palën turke. Ato zgjatën për gati dy vjet.

Turqit plotësuan disa nga kushtet e qeverisë shqiptare siç është përfshirja e një partneri strategjik, i cili në këtë rast është Turk Telekom, ndërtimi nga vetë kompania i rrjetit për vënien në funksionim të operatorit të tretë celular Eagle Mobile si dhe hartimi i një plani afatgjatë invstimesh. Kontrata e mëparshme ishte kritikuar edhe për çmimin e ulët të shitjes, por edhe pas rishikimit të kontratës ajo mbeti e njejtë. //ze//

XS
SM
MD
LG