I dërguari i lartë amerikan për çështjet bërthamore konfirmoi se fondet e Koresë së Veriut, në qëndër të një debati që ka penguar çarmatimin e saj bërthamor, janë depozituar në një llogari të Phenianit në Rusi.
Ndihmës Sekretari i Shtetit Kristofer Hill e bëri njoftimin sot në Seul.
Koreja e Veriut kishte refuzuar të mbyllte reaktorin e saj kryesor bërthamor, sipas një marrëveshjeje të shkurtit, derisa të merrte 25 milionë dollarët e bllokuar në një bankë të Makaos.
Ndërkohë që problemi bankar duket se u zgjidh, Pheniani ftoi inspektorët ndërkombëtarë të kthehen në vend. Një grup nga Agjencia Bërthamore e OKB-së do të vizitojë Korenë e Veriut javën e ardhshme për të diskutuar mbi procedurat për verifikimin e mbylljes së reaktorit bërthmor në Jongbion. //ze//