Lidhje

Publikohet raporti i dytë mbi protestën e lëvizjes "Vetvendosje"


Në Prishtinë u publikua sot raporti i dytë lidhur me protestën e 10 shkurtit të lëvizjes "Vetëvendosje" ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dhjetra të tjerë. Prokurori ndërkombëtar Robert Din, përdori sot në raportin e tij disa herë fjalën “e pafalshme” në lidhje me dy-kuptimshmërinë e urdhërit operacional në lidhje me plumbat plastikë, në lidhje me mungesën e informacionit nga drejtuesit e lartë të operacionit për përdorimin e plumbave plastikë apo për dy-kuptimshmërinë dhe pasaktësinë në autorizimin për dislokimin e plumbave plastikë në vendin e ngjarjes.

Prokurori ndërkombëtar Robert Din, publikoi sot raportin e tij të dytë për ngjarjet e 10 shkurtit, në të cilat dy protestues humbën jetën të qëlluar me plumba plastikë ndërsa dhjetra të tjerë u plagosën.

“Ka një mos-përputhje midis ligjit vendas rumun dhe ligjit të pranuar ndërkombëtar dhe parimeve udhëheqëse të Kombeve të Bashkuara në përdorimin e forcës vdekjeprurëse dhe ka shumë mundësi, edhe në përdorimin e plumbave plastikë”, tha zoti Din, duke përsëritur se municionit të përdorur nga njësia rumune i kishte dalë afati që prej 13 vjetësh.

Zoti Din përdori sot në raportin e tij të dytë disa herë fjalën “e pafalshme”. Ai e përdori atë për dy-kuptimshmërinë e urdhërit operacional në lidhje me atë nëse plumbat plastikë do të silleshin apo jo në skenën e operacionit, duke theksuar se nuk ka vend për dykuptimshmëri apo hamendje në një çështje të tillë, kaq të rëndësishme.

Prokurori tha gjithashtu se kuptimi i roleve të komandantëve të njësive policore gjatë protestës ishte i ndryshëm dhe se bashkërenduesi i njësive policore dhe komandanti i bashkërenduesve të njësive policore, nuk e dinin që plumbat plastikë po përdoreshin nga njësia rumune gjatë protestës.

Po kështu, fjala e pafalshme përdoret në raport edhe për dy-kuptimshmërinë dhe pasaktësinë në autorizimin për dislokimin e plumbave plastikë në vendin e ngjarjes.

“Sidoqë të jetë, në fund të fundit, stafi I komandës dhe të tjerët u kapën në befasi kur u shkrehën plumbat plastikë. Një pjesë e kësaj befasie është bindshëm për shkak të pasaktësisë dhe dy-kuptimshmërisë së Planit Operacional”, - tha prokurori ndërkombëtar Robert Din.

Prokurori Din pohon gjithashtu në raportin e tij se përdorimi i plumbave plastikë është kundërthënës. Ai thotë se përvoja e policisë së UNMIK-ut gjatë protestave të 10 shkurtit, sugjeron fuqishëm se duhet të rishqyrtohet si çështje e politikave, nëse përdorimi i plumbave plastikë duhet të autorizohet ndonjëherë, apo jo, në një mission paqeruajtës të OKB-së për kontrollin e turmës.//lk

XS
SM
MD
LG