Lidhje

Topi: Klasa politike po futet në një rrugë jo-institucionale


Zëri i Amerikës: Zoti Topi, ju sot përfundimisht nuk pranuat që të përfshiheshit në një listë me emrat të tjerë nga e djathta, listë të cilën ju e konsideruat farsë. Cila është arsyeja ?

Bamir Topi: Unë besoj që vlerësimi i figurës sime në kandidimin për president nuk ka qenë një përzgjedhje personale por ka qenë një vendim politik i Partisë Demokratike me të cilin kryetari i PD-së arriti që të shpallë si një sfidë institucionale do të thoja në funksion të një zgjidhjeje kushtetuese pikërisht për atë që ishte momenti edhe është praktikisht momenti më i rëndësishëm për institucionin më të lartë të shtetit. Ka qenë një promovim i figurës gjatë gjithë kësaj periudhe edhe me një unifikim të qëndrimit të mazhorancës dhe besoj tentativa e fundit për të çuar jo më emrin tim në bazë të një linje kushtetuese, mbi bazën e një gare reale normale në parlament, por për ta përzier me emra të tjerë, duke qënë i sigurtë që do të futesha në gijotinën e xhelatit politik Edi Rama, i cili e kishte prononcuar disa herë që nuk pranonte në mënyrë kategorike personin tim për të garuar. Them xhelat politik pasi është e drejta kushtetuese e çdo njeriu i cili arrin të marrë 20 firma për të garuar për postin e presidentit. Nga kjo pikëpamje duke e parë me shumë preokupacion këtë situatë ku e gjithë klasa politike po tenton të futet në rrugë jo-institucionale duke u kthyer sërisht tek precedenti i presidentit të vitit 2002 pra duke bërë një recidi të shëmtuar, duke iu referuar kohë pas kohe dokumentit themeltar të shtetit dhe duke e shkelur me të dyja këmbët në çdo moment, kjo e bën garën të deformuar, e bën të papranuar për normat dhe parametrat qytetare që unë kam. Unë vazhdoj të qëndroj me të dyja këmbët në misionin tim për të forcuar demokracinë në Shqipëri, i bindur edhe në atë që kam thënë sot që mbas 17 vjetësh nga momenti i rrëzimit të murit të Berlinit klasa politike shqiptare për fat të keq është e mbushur ende me komunistë, jo në pikëpamjet e emërtimit komunist sepse ka pasur edhe komunistë të ndershëm, por me mentalitetin komunist, një pjesë e të cilëve kanë qenë e janë pjesë e nomenklaturës jo vetëm në organikë por edhe në mentalitet dhe çfarë është më e shëmtuar akoma, interlokutor të nomenklaturës së lartë komuniste dhe të mentalitetit komunist, janë jo vetëm në opozitën e sotme por edhe në mazhorancë.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi ju u shprehët ashpër për Partinë Socialiste ndërkohë që duket se keni probleme vetë në Partinë Demokratike. Sipas jush cilët ishin faktorët që e shtynë Partinë Demokratike të mos mbetej vetëm me kandidaturën tuaj. A kanë qënë probleme të brendshme, probleme me aleatët apo për shkak të këmbënguljes së fortë të opozitës që e kundërshtonte kategorikisht kandidaturën tuaj?

Bamir Topi: Absolutisht, unë qëndroj në atë pozicion duke ritheksuar që partitë politike, qofshin këto në mazhorancë apo në opozitë t'i qëndrojnë fortë linjës kushtetuese, dhe të mos i nënshtrohen tavolinave dhe listave farsë. Tentativa për t’iu shmangur kushtetutës dhe për t’u futur në kulisa politikë është tentativa më e shëmtuar jo për t'u integruar në institucionet ndërkombëtare por është tentativë për t'u larguar këtyre institucioneve. Ju e keni parë që këto tavolina nuk nxjerrin produkte reale, njerëz të parametrave të profilit politik, intelektual dhe njerëz të cilët e njohin jetën politike dhe institucionale por tek e fundit bien në figura të cilat nuk kontestohen reciprokisht por janë figura të cilat nuk ofrojnë asnjë lloj shansi që institucioni i presidentit si institucioni më i rëndësishëm të jetë garant i kushtetutës dhe jo pjesë e lojrave politike.

Zëri i Amerikës: Atëhere zoti Topi cila do të jetë tani lëvizja juaj? A mund të thuhet se ju praktikisht jeni jashtë gare apo ekziston mundësia e grumbullimit të 20 firmave?

Bamir Topi: Unë nuk e kam pasur dhe nuk e kam problem mbledhjen e 20 firmave. Por unë ende i bëj një thirrje të drejtëpërdrejtë klasës politike dhe atij i cili në mënyrë të përsëritur sikurse ndodhi në zgjedhjet lokale, po ndodh edhe tani në prag të zgjedhjes së presidentit , bëhet pengesa kryesore e procesit, liderit të opozitës i cili siç edhe e kam thënë edhe herë tjetër ka një handikap shumë të madh. Duke mbetur gjithmonë në kornizat e një pushtetari lokal nuk arrin të dalë me përgjegjësitë e një lideri të një force kryesore sikurse është Partia Socialiste dhe me një handikap tjetër shumë të madh që është jashtë institucionit dhe parlamentit. Ky njeri duhet të vijë në formatin e politikanit dhe të mos tërheqë zvarr proceset. Unë në çdo moment jam institucional, jam konstitucional, jam gati të jem në garë, jo në garën e liderave të cilët bëjnë pazare jashtë institucionit të parlamentit. Unë jam i drejtëpërdrejtë në komunikim me publikun dhe i kam bërë thirrje cilitdo politikan i cili ka atributin e vendimeve politike, - le të dalë në popull- cilido që të jetë ai, sepse unë kam besimin që populli shqiptar është në lartësinë e koshiencës jo thjesht qytetare por edhe politike dhe është shumë larg në distancë me koshiencën dhe interesat e ngushta meskine të një pjese të politikës shqiptare.

Zëri i Amerikës: A është kjo zoti Topi fillimi i një nisme të pavarur nga ana juaj?

Bamir Topi: Unë përderisa them që jam institucional dhe konstitucional, jam njeri që kam një stazh të gjatë në politikë, unë besoj se zgjidhjet më të mira janë ato që vijnë nga forumet dhe meqënëse debatin e kam zhvilluar në forume – debati kryesor ka qënë që ne nuk duhet të zvarritemi në procese që janë jashtë linjës së kushtetutës. Fakti që ne kemi një kushtetutë, bërtasim çdo ditë për t’ju referuar kushtetutës dhe nga ana tjetër në mënyrë të qëllimshme dalim jashtë kushtetutës, ky vend nuk ofron asnjë lloj shansi, asnjë lloj perspektive që qytetarët shqiptarë të kenë garanci për të ardhmen. Duhet të dalim larg interesave dhe pazareve qofshin këto në tavolina të dukshme, qoftë të padukshme. Kjo është e ardhmja e Shqipërisë, kjo është e ardhmja e shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Atëhere në situatën e krijuar, kjo situatë, këto zhvillime sa dhe si do ndikojnë në pozicionin tuaj brenda partisë demokratike? A ndjeheni ju i anashkaluar pasi prej kohësh në shtyp ka patur analiza sipas të cilave që në fillim kandidatura juaj u hodh që ju të digjeshin në këtë garë. Cili është komenti juaj?

Bamir Topi: Unë kam një sens orientimi në jetë dhe natyrisht nuk më orientojnë ata që më ofrojnë një sfidë politike - unë orientohem vetë dhe orientimi im është nga qytetarët, jam për të gjithë sfidat e demokracisë dhe kjo është arsyeja që unë ndjehem shumë i fortë në Partinë Demokratike dhe sidomos në shoqërinë shqiptare. Unë do të vazhdoj të trajtoj të gjitha çështjet me shumë preokupacion dhe jo në interes të një karrigeje e cila mund të jetë momentale për interes të atyre sfidave që të gjithë shqiptarët po i shohin me shumë shqetësim për të ardhmen. Kështu që unë jam i fortë, jam mbi të dyja këmbët dhe do të zhvilloj debatin politik qoftë brenda Partisë Demokratike, qoftë në parlamentin shqiptar për të demokratizuar jetën politike e cila sot për fat të keq ka mjaft handikape në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Si do të jetë marrëdhënia juaj me kryeministrin Berisha pas lëvizjes së sotme, zoti Topi?

Bamir Topi: Unë natyrisht do të ruaj të gjitha linjat që më bëjnë të lidhur politikisht me subjektin tim. Nuk i shoh si lidhje personale ato, absolutisht. Do të zhvillojë të gjithë debatin e brendshëm, dhe do të mbështesë ato linja për të cilat gjithë kolegët e mi janë koshientë dhe në mënyrë absolute nuk do të lejojë që interesat meskine të disa njerëzve të dominojnë interesat madhore sidomos të misionit të të djathtës demokratike në Shqipëri e cila sot gradualisht ka ardhur në një stad ku nuk ka më identitet. Kjo është e lidhur drejtëpërdrejtë me historinë e pronave, me atë të të përndjekurve politikë, me integrimin e mjaft elementëve të dyshimtë që vijnë me mentalitet të majtë dhe sidomos me një psikologji materialiste, kur them materialiste e keni parasysh çfarë dua të them, nuk vijnë në qeveri për të kontribuar për sfidat e prespektivës por për të joshur interesat e një grupi të vogël njerëzish. Kjo është sfida ime kryesore dhe besoj se kjo është ajo që i intereson një publiku të gjerë dhe jo thjesht karrigia presidenciale e cila mund të ishte në interes të një njeriu që do të mbyllte karrierën e tij.

Zëri i Amerikës: Pas zhvillimeve të sotme janë të shumtë ata që mendojnë se po shkohet drejt një takimi të mundshëm mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit socialist Rama. A mendoni se emri juaj mund të jetë pjesë e këtyre negociatave.

Bamir Topi: Unë sinqerisht kam dëshiruar, e kam shpallur që emri im në mënyrën më absolute nuk mund të jetë në duart e xhelatit politik Edi Rama, kështu që nuk pres që emri im të shkojë atje e të eleminohet me një kryq sepse kjo do të ishte një ulje për emrin tim dhe një ulje për të gjithë pasuesit e mi, për të gjithë demokratët në Shqipëri. Emri im do të lartësohet vetëm në momentin kur të futet në linjë të një konkurimi zyrtar dhe sidomos për këtë jam shumë i qartë, në rast se emri im do të ishte në një fushatë presidenciale të një zgjedhjeje nga populli. //rd//

XS
SM
MD
LG