Lidhje

Solana: BE-ja vazhdon të mbështesë planin Ahtisari


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri, Agim Çeku, u takuan sot në Bruksel me Shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana dhe Kryetarin e Këshillit të Evropës, Hose Manuel Barroso. Udhëheqësit e Kosovës i kanë kërkuar BE-së mbështetje për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Pas takimeve, zotërinjtë Solana, Sejdiu dhe Çeku dhanë një konferecë shtypi.

Havier Solana tha se Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë planin Ahtisari për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me udhëheqësit e Kosovës, që ky proces të marrë fund.

Solana tha se diskutimet për çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit nuk përbëjnë një proces pafund, ato kanë afat kohor, por gjithçka duhet bërë në mënyrë të rregullt, të llogjikshme dhe konstuktive. “Ne do të punojmë sëbashku me këmbëngulje për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga komuniteti ndërkombëtar. Populli i Kosovës dhe udhëheqësit e tij e meritojnë këtë rezultat. Pata kënaqësinë të takohesha sot me udhëheqësit e urtë të Kosovës me të cilët jemi miq të mirë dhe që do të vazdhojnë të jenë udhëheqësit e Kosovës dhe miqtë tanë”, tha Solana.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se ky proces duhet të përfundojë sa më shpejt dhe të jetë i mbështetur fuqishëm edhe në nivelin e Këshillit të Sigurimit. “Prandaj Kosova është e interesuar të ketë një rezolutë të përbashkët mbështetëse, që kështu të hapet perspektiva e saj si shtet i pavarur, që do të ketë mundësinë më të mirë të integrimeve. Ne jemi të angazhuar për zbatimin e plotë të planit Ahtisari”. Presidenti Sejdiu tha se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe vendet që e kanë mbështetur atë në këtë proces.

E ardhmja e Kosovës, theksoi zoti Sejdiu është në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike. Kryeministri Çeku tha se Kosova ka qënë dhe është e e predispozuar të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar. Zoti Çeku theksoi prerazi se Këshilli i Sigurimit nuk duhet ta zvarritë më gjatë statusin e Kosovës dhe se Evropa nuk duhet të vazhdojë të thotë se pret miratimin e rezolutës për Kosonën në Këshillin e Sigurimit. “Kosova është në Evropë dhe është sot një problem evropian dhe do të jetë problemi i Evropës nesër, nëqoftë se nuk përcaktohet e ardhmja e saj tani. Ne përbëjmë një sfidë të madhe për Evropën, por njëkohësisht ne përbëjmë edhe një mundësi të madhe për të”. Zoti Çeku këmbënguli se Kosova është e angazhuar për zbatimin e planit Ahtisari, por sa më parë që të jetë e mundur.

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, kundërshtoi sot projektrezolutën e re të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës. Ai tha se Kosova nuk do të jetë asnjëherë e pavarur, megjithë deklaratat e bëra nga zyrtarët amerikanë në mbështetje të pavarësisë. //rd//

XS
SM
MD
LG