Lidhje

Bush: Shtetet e Bashkuara ende mund ta fitojnë luftën në Irak, megjithë mungesën e përparimit në disa fusha të rëndësishme


Presidenti Bush shprehu besimin se Shtetet e Bashkuara ende janë në gjendje ta fitojnë luftën në Irak, megjithë mungesën e përparimit në disa fusha të rëndësishme.

Duke folur pas publikimit sot të një raporti për Irakun të kërkuar nga Kongresi, presidenti Bush tha se në Irak është bërë përparim në fushën e sigurimit dhe se kjo do të hapë rrugën për përparim në frontin politik.

Në raport thuhet se është bërë përparim i kënaqshëm në 8 prej 18 objektivave të caktuara, nuk ka pasur rezultate të kënaqshme në 8 objektiva dhe rezultate të përzjera në 2 të tjera. Raporti thotë gjithashtu se është bërë përparim i pakët në çështje të rëndësishme politike, si ndarja e të ardhurave nga nafta dhe pajtimi politik.

Ndërkohë po shtohet kundërshtimi ndaj strategjisë së presidentit Bush për të dërguar përkohësisht forca të tjera në Irak. Kundërshtarët përfshijnë një numër në rritje republikanësh, partia së cilës i përket edhe vetë presidenti.

Presidenti Bush theksoi se raporti është paraprak dhe se ai do të presë deri në vlerësimin tjetër, që do të bëhet në shtator, për të parë nëse strategjia e tij ka nevojë për t’u rishqyrtuar.

Në muajin maj, Kongresi autorizoi vazhdimin e fondeve për luftën në Irak me kusht që administrata të certifikonte deri më 15 korrik e përsëri më 15 shtator se irakianët po bënin përparim drejt disa objektivave.

Administrata i ka kërkuar Kongresit t’u japë më shumë kohë trupave në Irak, duke vënë në dukje se 30 mijë trupat e dislokuara që nga janari kanë filluar tani të stabilizohen. //iç//

XS
SM
MD
LG