Lidhje

Rusia kërkon zëvendësimin e të dërguarit të OKB-së Ahtisari


Ministri i jashtëm rus la të kuptohet sot se i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari është i njëanshëm dhe e vuri në pikëpyetje aftësinë e tij për arritjen e një zgjidhjeje të drejtë të këtij statusi. Komentet bëhen ndërkohë që vazhdon ballafaqimi për Kosovën në Këshillin e Sigurimit mes Rusisë dhe anëtarëve të tjerë të përhershëm, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Sergey Lavrov e bëri deklaratën në përgjigje të komenteve me shkrim të zotit Ahtisari, i cili thoshte se Rusia do ta dëmtonte imazhin e saj ndërkombëtar nëse bllokon bisedimet për të ardhmen e Kosovës, duke i vënë veton një rezolute të mundëshme në Këshillin e Sigurimit.

Pas takimit me homologun e tij kinez, Yang Jie-chi në Moskë, zoti Lavrov tha në një konferencë shtypi se nuk i kishte dëgjuar komentet e Ahtisarit, të botuara dje në një gazetë finlandeze.

"Unë nuk e dëgjova vetë deklaratën por ajo në fakt është bërë dhe unë e konsideroj atë pa vend. Nëse një njoftim i tillë dëmton imazhin ndërkombëtar të dikujt, ky dikush nuk do të ishte Rusia,” tha ai.

Detyra e Ahtisaarit, tha ministri Lavrov, ishte të dilte me propozime për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Zoti Lavrov la të kuptohet se i dërguari i OKB-së mund të mos jetë njeriu i përshtatshëm për mbikqyrjen e bisedimeve të mëtejshme mes udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës.

“Nëse njëra palë nuk mund t’i pranojë këto propozime, është ndoshta e nevojshme të kemi një ndërmjetës ndërkombëtar të paanshëm që të drejtojë këto negociata," tha ai.

Komentet bëhen ndërkohë që vazhdon ballafaqimi për Kosovën në Këshillin e Sigurimit mes Rusisë dhe anëtarëve të tjerë të përhershëm, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG