Lidhje

Shtatë mrekullitë e reja të botës, pika me interes të madh për turizmin


Një anketë e opinionit botëror me më shumë se 100 milion njerëz ka zgjedhur ato që i quan shtatë mrekullitë e reja të botës. Anketa e zhvilluar në internet zgjedh Koloseun e Romës, Taxh Mahalin, Murin e Madh të Kinës, Maçu Piçun e Perusë, qendrën arkeologjike Petra në Jordani, skulpturën e madhe të Krishtit Shpëtimtar në Brazil dhe Piramidat e Mëdha të Egjyptit. Mrekullitë e reja pritet të shtojnë turizmin në disa destinacione popullore por kanë sjellë njëkohësisht edhe një vlerësim më serioz të përgjegjësisë së turistëve.

Nga shtatë mrekullitë origjinale të botës, vetëm Piramidat e Gizës vazhdojnë të qëndrojnë në listë. Por organizatorët e Shtatë Mrekullive të Reja thonë se nuk ka mungesa të mrekullive të tjera në botë. Tia Viering është shefe e kominikimit në komisionin me seli në Zurih.

“Mrekullinë e kemi përkufizuar në të kaluarën si diçka që të bën të mendosh. Të bën të ndalesh, të lë pa frymë për një sekondë dhe mendon Pse? Si? Ku? Kush? Dhe nuk është thjeshtë një ndërtesë që të thuash o sa e bukur, por është diçka që të prek emocionalisht”.

Viering thotë se vështirësia ishte të zgjidhje vetëm shtatë nga një listë prej 21 vendesh frymëzuese të botës. Midis tyre Tempujt e Lashtë të Angkor Wat-it.

Disa janë të shqetësuar se turistët e shumtë po shkatërrojnë një nga destinacionet më popullore të Kamboxhias. Mbrojtësi historik John Stubbs është me Fondacionin Botëror të Monumenteve.

"Nuk duhet të humbasim asnjë minutë tjetër për t’u kujdesur për këtë vend të rrallë pasi pa dyshim mund të shkatërrohet nga disa vendime të gabuara".

Të bllokuar për disa vjet, këto monumente të ndërtuara për një mbret të shekullit të 12-të, tërheqin më shumë se dy milion vizitorë çdo vit. Nga vetëm dy hotele 10 vjet më parë, sot ka më shumë se 100. Në atë që dikur ishte xhungël, qendra të reja tregëtare, piceri dhe sallonet e masazhit mbushin peisazhin. Edhe vetë turistët kanë ndjenja të përzjera rreth tregëtisë që rrethon atë që dikur ishte vend i shenjtë.

"Mendoj se tërheq vëmendjen prej saj. Rëndësia e këtij vendi meriton që njerëzit ta vështrojnë atë, të vëzhgojnë".

Megjithëse fluksi i turistëve ka hapur vende të reja pune dhe miliona dollarë për ekonominë kamboxhiane, Stubbs shqetësohet se lakmia do të dalë mbi përpjekjet për mirëmbajtjen e objekteve. Ky është një kërcënim që disa komunitete po e trajtojnë me seriozitet.

Në Kenian Veriore, ku turistët dhe kafshët e egra duhet të gjejnë një balancë, ky hotel i vogël me 12 shtretër në shtatë hektarë të një rezervati menaxhohet nga fshatarët vendas. Menaxheri i hotelit Njalis Shuel:

"Këtu 100 përqind e çdo gjëje menaxhohet nga bordi, çdo gjë dhe gjithçka që vendos bordi drejtues vjen nga vetë komuniteti. Nga të gjitha gabimet që bëjmë nxjerrim mësime".

Para se komuniteti Masai mori pronësinë e tokës çdo gjë ishte e paorganizuar dhe Shuel thotë se varfëria ishte e lartë.

Por sot ky hotel nxjerr të ardhura për 6 mijë pjesëtarët e fjatiti dhe ndihmon në pagesat për edukimin e 500 studentëve. Margaret Bailey është turiste nga Britania.

"Shpresoj që pikë së pari të përfitojnë banorët vendas nga turizmi dhe që mënyra e jetesës së tyre të mbështetet nga vizita e turistëve këtu në vend që të shkatërrohet gradualisht nga fluksi i tyre".

Të moshuarit e fshatit thonë se të gjitha vendimet për zhvillimin e komunitetit përcaktohen nga ndikimi që do të kenë mbi kulturën, ambjentin dhe kafshët e Afrikës.

Megjithëse i vogël krahasuar me destinacionet popullore, hoteli shihet si shembull i mënyrës se si turizmi i përgjegjshëm mund të ndihmojë në nxjerrjen e të ardhurave në komunitetet e varfëra dhe në të njejtën kohë të ruajë mrekullitë e natyrës për gjeneratat e ardhëshme. //iç//

XS
SM
MD
LG