Rusia njoftoi se do të japë, siç u shpreh ajo, një përgjigje të mjaftueshme dhe të duhur ndaj vendimit të Britanisë për të dëbuar 4 diplomatë rusë, ndërkohë që intensifikohet kriza me Londrën lidhur me ekstradimin e një të dyshuari rus për vrasje.
Megjithatë, zëvëndës-ministri i jashtëm rus, Aleksandër Grushko, nuk pranoi sot të jepte hollësi rreth masave që do të marrë Moska.
Dje, Britania njoftoi se ka në plan të dëbojë diplomatët rusë dhe të vendosë kufizime vizash për zyrtarët rusë në hakmarrje të refuzimit nga ana e Moskës që të ekstradojë të dyshuarin kryesor të Britanisë për vrasjen e ish agjentit rus në Londër, Aleksandër Litvinenko.
Në muajin maj, Britania e akuzoi ish spiunin e KGB-së, Andrei Lugovoi për helmimin e ish agjentit rus Litvinenko me një substancë radioaktive nëntorin e kaluar, akuzë që Lugovoi e hedh poshtë.
Duke folur sot me gazetarët në Moskë, zëvëndës-ministri i jashtëm Grushko tha se me përgjigjen e saj Rusia do të sigurohet që qytetarët e saj të mos kenë pasoja si rezultat i masave të Londrës.//kk//