Lidhje

Vendet perëndimore paraqitën në OKB një projektrezolutë të re për Kosovën


Vendet Perëndimore paraqitën një projektrezolutë të re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Projektrezoluta përmban ndryshime të një versioni, që u hodh poshtë të hënën nga Rusia.

Dje më herët, Shefi i Politikës së Jashtëme të Bashkimit Europian, Havier Solana tha se blloku prej 27 vendesh mund ta tërheqë çështjen e Kosovës nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nëse Rusia vazhdon të mos pranojë një rezolutë lidhur me statusin e saj.

Zoti Solana tha se Serbia dhe udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës mund t’i vazhdojnë bisedimet nën kujdesin e Grupit të Kontaktit për Kosovën, ku Moska ka një vend por jo të drejtën e vetos. Grupi i Kontaktit përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia.

Udhëheqësit e Kosovës thonë se Këshilli i Sigurimit ka dështuar në përpjekjet për zgjidhjen e statusit. Ata i kanë bërë thirrje Perëndimit t’i ofrojë Kosovës një alternativë për pavarësi nga Serbia.

Të hënën, Rusia hodhi poshtë një projektrezolutë tjetër për Kosovën. Kryeministri Vojisllav Koshtunica gjithashtu e hodhi poshtë me forcë projektrezolutën gjatë një takimi dje në Berlin me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

Projektrezoluta e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian parashikon katër muaj bisedime shtesë mes Beogradit dhe Prishtinës për të arritur një marrëveshje të pranueshme nga të dyja palët mbi statusin e ardhshëm të Kosovës. Edhe Rusia i ka hedhur poshtë projektrezolutat e mëparshme për Kosovën pasi ato kanë qenë të papranueshme nga Beogradi. //ze//

XS
SM
MD
LG