Lidhje

Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Oliver Duliç, viziton Shkupin


Kryetari i parlamentit të Serbisë, Oliver Duliç, tha në Shkup se çdo zgjidhje e njëanshme për Kosovën do të jetë akt armiqësie për Beogradin.

Pas një takimi që pati me homologun e tij maqedonas Lubisha Georgievski, kryeparlamentari serb theksoi se për Serbinë është me shumë rëndësi se si do të veprojnë vendet fqinje në lidhje me statusin e ardhshëm të Kosovës. Ai u shpreh i vetëdijshëm se këto vende nuk mund ta ndihmojnë Serbinë, por bëri thirrje që të mos i bëjnë dëm procesit.

Zoti Duliç, i cili vjen për herë të parë në Maqedoni, tha se ajo që është me shumë rëndësi për vendin e tij është hapja e dialogut me Prishtinën, në mënyrë që të arrihet deri tek një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Georgievski, pa hyrë në hollësi lidhur me qëndrimin maqedonas për statusin e Kosovës, i tha kolegut të tij serb se Maqedonia ka qenë në të kaluarën dhe se është edhe tani vend mik i Serbisë dhe popullit serb.
Ndërkohë në takimin me kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski, ky i fundit e ka përsëritur qëndrimin në mbështetje të planit të zotit Ahtisaari. Zoti Gruevski thotë se niset me këtë pikëpamje me që Maqedonia ka një çerek të popullatës së saj me përkatësi etnike shqiptare.
Në përgjithësi autoritetet shtetërore në Shkup kanë një qëndrim në lidhje me statusin e Kosovës. Presidenti Branko Cërvenkovski ka deklaruar se në rast se Prishtina shpall pavarësinë e njëanshme atëherë Shkupi zyrtar do të ndjek hapat e Bashkimit Evropian dhe Natos dhe do të veprojë si këto organizata ku Maqedonia synon integrimin. //ze//
XS
SM
MD
LG