Lidhje

Surroi: Pas periudhës 120 ditëshe duhet të njihet pavarësia e Kosovës


Udhëheqësit e Kosovës zhvilluan dje takime me Sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoliza Rice, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës. Burimet zyrtare theksuan se udhëheqja e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin me Grupin e Kontaktit ashtu si edhe në të kaluarën dhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim të njëanshëm pa u konsultuar me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian. Ndërkaq, anëtari i delegacionit të Kosovës, Veton Surroi theksoi se udhëheqja politike në Prishtinë do ta shfrytëzojë këtë periudhë 120 ditëshe për të siguruar masën kritike të vendeve që mbështesin pavarësimin e Kosovës. Zoti Surroi i bëri këto komente në një intervistë në emisionin televiziv Ditari:

Zëri i Amerikës: Në takimet e zhvilluara me zyrtarët amerikanë, ata theksuan se pas 120 ditëve çështja e statusit do të zgjidhet. A morët ndonjë sinjal se menjëherë pas kalimit të 120 ditëve do të ketë një shpallje të pavarësisë dhe njohje të saj nga Shteteve të Bashkuara?

Veto Surroi: Ne jemi në fillim të kësaj faze të re. Por ajo me çka u larguam nga ky takim ishte bindja se pas 120 ditësh, të cilat duhen shpenzuar në një angazhim intensiv, do të ishte e nënkuptueshme për ne që të kemi të drejtën e shpalljes së pavarësisë.

Zëri i Amerikës: Në qoftë se çështja e statusit të Kosovës tërhiqet përfundimisht nga Këshilli i Sigurimit dhe i kalon Grupit të Kontaktit, çfarë legjitimiteti ka ky grup për të përcaktuar statusin e Kosovës?

Veton Surroi: Nuk besoj që Grupi i Kontaktit do të marrë përsipër që të legjitimojë apo të legalizojë një gjendje. Më duket se Grupi i Kontaktit mund të marrë autorizime nga OKB-ja thjesht për të zhvilluar edhe këto 120 ditët e ardhshme, të cilat ende janë të diskutueshme, do të diskutohen nesër. Për ne është me rëndësi që pas kësaj periudhe të krijohet masa kritike e shteteve të cilat e njohin realitetin e ri.

Zëri i Amerikës: Masa kritike përfshin vende të Bashkimit Evropian. Kohët e fundit në Bashkimin Evropian shumë vende ndjehen të shqetësuara për mundësinë e anashkalimit të Këshillit të Sigurimit. A priten përçarje?

Veton Surroi: Pa dyshim se jemi në fazën e vështirë, ku do të ketë edhe mendime të ndryshme nga Bashkimi Evropian, por ajo që mendojmë ne dhe kjo është edhe porosia të cilën ia transmetova edhe ministrit francez Kushner kur isha në Paris të premten, është se Bashkimi Evropian, kontinenti evropian nuk mund të mbahet peng i një vetoje ruse, i politikës ruse. Rusia nuk mund të ndërhyjë në një formë kaq brutale për të penguar bashkimin e popujve të lirë dhe shteteve të lira evropiane. Procesi i pavarësimit të Kosovës është pjesë e procesit të bashkimit të Evropës së popujve të lirë.

Zëri i Amerikës: A ju shqetëson kjo mungesë uniteti në Bashkimin Evropian. Mos tregon kjo një tkurrje, një tërheqje të mbështetjes të mëtejshme për procesin?

Veton Surroi: Sinjalet janë shqetësuese në përgjithësi. Ne duhet të ishim të pavarur kaherë. Ka pasur një zvarritje pas tjetrës. Por ajo që është konstante, është ndikimi i fortë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa prej shteteve të forta të Bashkimit Evropian, të cilat mendojnë se ky proces duhet menduar dhe duhet të përfundojë në një kohë relativisht të shkurtër dhe me një epilog të qartë të pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Çfarë pritet nga Prishtina në këto muaj negociatash?

Veton Surroi: Ne theksuam se ne nuk jemi të gatshëm të hapim paketën e Ahtisarit. Kjo për ne është paketë që duhet aplikuar në legjislacionin tonë, pra nuk bëhet fjalë për ri-negociim të kësaj pakete. Natyrisht jemi të gatshëm të bisedojmë për shumë çështje të tjera të hapura të marrëdhënieve tona bilaterale dhe gjendjes së pas-statusit, që nga çështja e të zhdukurve, që është për ne një çështje shumë e dhimbshme, e deri tek çështje, se si do të duket trafiku hekurudhor në të ardhmen. Këto janë çështje të rëndësishme të jetës së përditshme. Për këto natyrisht duhen biseduar.

Zëri i Amerikës: Delegacioni doli përgjithësisht pozitiv nga bisedimet me Sekretaren e Shtetit. Por a jeni të shqetësuar se popullatës në Kosovë i është shteruar durimi dhe entuziazmi në këtë proces?

Veton Surroi: Natyrisht që duhet të falenderojmë Shtetet e Bashkuara dhe duhet të dalim të entuziazmuar kur na thuhet se fundi do të jetë pavarësia, por duhet të jemi esëll dhe duhet të kthehemi esëll në vendin tonë dhe të themi se na pret një periudhë e vështirë, kur duhet ruajtur homogjeniteti ynë politik dhe duhet një bashkëpunim intensiv me Shtetet e Bashkuara, me Bashkimin Evropian, kemi punë shumë të madhe për të bërë. Dhe si e tillë duhet gjykuar, pasi nuk është ditë feste sot. Festa do të vijë kur të mbarojë...

Zëri i Amerikës: Kthehemi përsëri tek Bashkimi Evropian. Përveç që ka një numër idesh për trajtimin e çështjes së Kosovës, Ministri i Jashtëm gjerman Steinmeir ngriti idenë e një trojke ndërkombëtare me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë. A ju shqetëson mundësia që Moska të jenë në bisedime e barasvlefshme me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian?

Veton Surroi: Jo, nuk më shqetëson. Është diçka që e kemi parë në procesin e Rambujesë, pra nuk është e paparë. Nuk është çështja se kush do të jetë aty, ndonëse edhe ajo është me rëndësi, por me çfarë agjende dhe me çfarë përgatitesh do të fillojë ky proces i ardhshëm negociator. Në këtë drejtim ne duhet të jemi shumë këmbëngulës dhe duhet të tregojmë se cilat janë limitet e mundësive tona për të zhvilluar një bisedë, një kontakt, një angazhim, një negociatë.

Zëri i Amerikës: Para pak ditësh, në bisedën nga Parisi ju theksuat besimin se shoqëria kosovare ka pjekurinë e duhur politike si për të zgjidhur çështjen e statusit, ashtu edhe për të zhvilluar zgjedhjen. Por duke qenë se bëhet fjalë për një kohë shumë të shkurtër si mund t’i përballoni këto 2 sfida në mënyrë optimale?

Veton Surroi: Janë tri sfida në fakt. Ne gjatë këtyre disa muajve që na presin duhet të fillojmë implementimin e paketës së zotit Ahtisari, dhe duhen zhvilluar të gjitha përgatitjet për pavarësinë e Kosovës, domethënë Kosova duhet të jetë brenda 4 muajve të ardhshme e gatshme për pavarësi. Duhet të zhvillojmë zgjedhje, njëkohësisht duke ruajtur homogjenitetin tonë politik, domethënë unitetin brenda Ekipit të Unitetit dhe duhen zhvilluar edhe negociata, ku faktori më i rëndësishëm i tyre është të tregojmë se është arritur momenti kritik, kur edhe shtetet e Bashkimit Evropian të mbërrijnë në pikën që të thonë: Mjaft, kanë përfunduar të gjitha tentativat për të mbërritur në një zgjidhje. Zgjidhja e natyrshme e këtij procesi është pavarësia dhe kjo pavarësi duhet bërë sot. //ad//

XS
SM
MD
LG