Lidhje

Kosovë: OSBE-ja kritikon gazetën Infopress si “joprofesionale”


Misioni i OSBE-së në Kosovë shprehu sot shqetësim rreth disa njoftimeve të publikuara nga gazeta Inforpress. Përmes një deklarate, OSBE-ja thotë se kjo e përditshme, po boton gjithnjë e më shumë “njoftime joprofesionale dhe të papërgjegjshme”

Misioni i OSBE shpreh shqetësim rreth botimit nga Infopress të informacioneve, që nuk mbështeten në standartet bazë të gazetarisë. Kohët e fundit, Infopress ka botuar artikuj me lista emrash dhe informacione shtesë të banorëve të Kosovës, kryesisht serbë të Kosovës, të cilët i akuzon se kanë qënë rezervistë me ushtrinë jugosllave në Kosovë.

Misioni i OSBE-së vë në dukje se megjithëqë Infopress deklaroi se kishte përfunduar botimin e listave të tilla, emra kryesisht serbësh nga rajone të ndryshme të Kosovës, u botuan vazhdimisht që prej 23 korrikut dhe nga 30 korriku deri më 4 gusht lista emrash janë botuar në çdo numër të Infopressit.

Misioni i OSBE-së është gjithashtu i shqetësuar rreth shpjegimit nga Inforpressi se artikujt kishin si synim të mbështesnin drejtësinë. OSBE-ja vënë dukje se është detyra e shtypit që të mbikqyrë dhe kontrollojë degën ekzekutive, legjislative dhe juridike të qeverisë dhe jo të mbushë mangësi ose të veprojë në emër të qeverisë. Ndarja e qartë e pushtetit të degëve të qeverisë bashkë me një media politikisht të pavarur janë themelet e pazëvëndësueshme të çdo shoqërie demokratike. Nuk është roli i medias, thuhet në deklaratën e misionit të OSBE-së në Kosovë, që të veprojë në mbështetje, në emër ose në vevnd të degës juridike apo çdo dege të qeverisë.

OSBE-ja i bën thirrje Inforpressit dhe gazetave të Kosovës në përgjithësi që të zbatojnë kodin profesional, që pranuan të respektojnë si anëtarë të Këshillit të Shtypit dhe të japin kontributin e tyre për një shtyp të përgjegjshëm, profesional dhe jo politizues. //ze//

XS
SM
MD
LG