Lidhje

Kandidatët republikanë për në zgjedhjet presidenciale 2008


Pretendentët republikanë për president, Mitt Romney dhe Mike Huckabee shpresojnë të marrin një shtytje politike pas votimit provë të zhvilluar të shtunën në shtetin Iowa, ku ata zunë dy vendet e para. Beteja për të fituar emërimin e partisë republikane mbetet ende e hapur.

Ish guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney ishte fituesi i madh në votimin provë në Iowa duke marrë 31 përqind të votave dhe atë që ai shpreson të jetë një shtysë e mirë politike për fazën e ardhshme të fushatës presidenciale për zgjedhjet e 2008-s.

"Nuk ka dyshim se rezultati dërgon mesazhin që Amerika është gati për ndryshim dhe se ndryshimi filloi në Iowa. Jam shumë i kënaqur që dola kaq mirë. E di që shumë të tjerë do të donin të ishin në vendin tim, por jam i lumtur që ia arrita," tha zoti Romney, i cili i bëri komentet për programin Today të rrjetit televiziv NBC.

Ish guvernatori i shtetit Arkansa Mike Huckabee doli i dyti mes grupit të pretendentëve republikanë me 18 përqind të votave. Huckabee i tha rrjetit MSNBC se vendi i dytë e vë atë në radhën e pretendentëve më të fortë republikanë që do të kërkojnë Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm.

“Nuk mund të fitosh pa patur me vete rajonet qendrore të Amerikës, që do të thotë se republikanët duhet të vazhdojnë të kërkojnë mbështetje. Kjo është arsyeja që mendoj se rezultati që mora ka rëndësi pasi tregon se njerëzit kanë nevojë jo vetëm për një kandidat ndryshe por edhe që ju jep alternativa,” tha kandidati Huckabee.

Romney dhe Huckabee përfituan nga fakti se disa nga rivalët e tyre kryesorë nuk morën pjesë në garë dhe këtu përfshihen ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudy Guiuliani, senatori i Arizonës John McCain dhe ish senatori Fred Thompson i shtetit Tenesi. Thompson pritet të hyjë në garë zyrtarisht në muajin shtator.

Për momentin, Guiliani vazhdon të udhëheqë midis republikanëve në anketat e opinionit por Romney është duke avancuar në Iowa dhe New Hampshire, dy shtete të cilat në janar fillojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve presidencialë për të dyja partitë politike kryesore.

Anketat në shkallë vendi kanë treguar gjithashtu se shumë votues republikanë nuk janë të kënaqur me grupin e tanishëm të kandidatëve, dhe se votuesit konservatorë në veçanti janë në kërkim të një konservatori të vëtetë që t’i ngjante ish presidentit Ronald Reagan.

Ekspertët politikë thonë se si Romney edhe Huckabee mund të kenë bërë për vete një numër të lëkundurish me shifrat e arritura në Iowa. Ja ç’thotë John Fortier, ekspert politik në Institutin American Enterprise, i cili ishte i ftuar në programin e Zërit të Amerikës “Encounter”.

"Mitt Romney ka qënë konservator disa herë në karrierën e tij ndërsa herë të tjara jo. Kjo është pikërisht sfida e madhe me të cilën ai përballet. Prandaj ai po përpiqet të jetë pikërisht kandidati konservator që kërkojnë votuesit," thotë analisti.

Por një i ftuar tjetër në programin Encounter, analisti politik Stuart Rothenberg tha se do të duhet kohë para se të dalë një kryesues i qartë në betejën për të marrë emërimin e Partisë Republikane.

"Gara e republikanëve kërkon një kryesues dhe askush nuk po e gjen se cili do të jetë. Republikanët kanë problem pasi nuk kanë dikë që të ndizte energjinë e konservatorëve, të tërhiqte demokratët, të fitonte votuesit e pavarur dhe ta organizonte fushatën në mënyrë të tillë që të merrte emërimin e Partisë Republikane."

Rezultatet e votimit provë në Iowa nuk kanë ndonjë ndikim zyrtar në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve presidencialë por ato përcaktuan fatin politik për të paktën njërin nga pretendentët, ish guvernatorin e shtetit Uiskonsin Tommy Thompson, i cili u tërhoq nga gara menjëherë pas rezultatit të dobët që mori në Iowa. //ad//

XS
SM
MD
LG