Lidhje

Kujdesi për të moshuarit sjell vendime të vështira për amerikanët


Sipas Byrosë së Regjistrimit të Popullatës në Shtetet e Bashkuara, grup-mosha që po shtohet më tepër është ajo e moshës 85-vjeçare. Si rrjedhim, 25 përqind e amerikanëve kujdesen për të moshuarit dhe shumica e tyre janë gra në moshë mesatare, që punojnë me orar të plotë ose të reduktuar dhe që kanë edhe familjet e tyre.

Ekspertët që merren me kujdesin për të moshuarit thonë se shumica e atyre që kanë lindur mes viteve 40 dhe 60, dhe që përbëjnë rreth 76 përqind të popullatës në Shtetet e Bashkuara, sot gjendjen përballë në seri vendimesh të vështira lidhur me kujdesin për prindërit e tyre të moshuar dhe si të përballojnë koston e shërbimeve të veçanta.

Sandra Markwood është drejtore e Shoqatës Kombëtare të Agjencive Lokale të të Moshuarve, një organizatë që financohet nga qeveria federale. ”Natyrisht që ky është një preokupim i madh për shumë familje që përpiqen të balancojnë kujdesin për vete, për fëmijët e tyre, si dhe për një anëtarë të moshuar të familjes”.

Ja një rast tipik: 52-vjeçarja Debbie Green Latimer [LAD-ih-mer], me banim në Virxhinian Veriore, është e martuar dhe ka dy vajza adoleshente. Ajo punon në një firmë kërkimesh mbi kujdesin për të moshuarit dhe në të njejtën kohë e gjen veten përballë gjendjes së pararashikuar shëndetësore të prindërve të saj, nënës 87-vjeçare Shirley dhe babait 90-vjeçar Paul Green.

Në vitin 2002, zonja Green u diagnostikua me Alzheimer. Latimer thotë se pesë vjet më parë, nëna e saj telefononte vazhdimisht sepse nuk ishte në gjendje ta ndihmonte të shoqin.

Debbie Latimer dhe motra e saj Stephanie i bindën prindërit të largoheshin nga shtëpia e tyre sepse ato nuk kishin mundësi të shkonin për t’u ndihmuar sa herë që ata kishin nevojë, pasi iu duhej të ngisnin makinën të paktën 30 minuta që të mbërrinin atje. Nga ana tjetër ato nuk donin të merrnin dikë me pagesë që të kujdesej për ta në shtëpi.


Paul dhe Shirley Green i pranuan kufizimet që sjell mosha dhe filluan të jetonin në një shtëpi për të moshuarit të ndarë në dy seksione, në njërin prej tyre jetonin ata që ishin në gjendje të kujdeseshin për vete ndërsa në tjetrin ata që kishin nevojë për ndihmën e infermjereve dhe të personelit të shërbimit.

Ndërkohë, Debbie Latimer dhe e motra i vizitonin ata sa herë që kishin mundësi dhe po ashtu u përgjigjeshin më mirë edhe nevojave të ndryshme të familjeve të tyre.

Por një muaj më parë, zyrtarët e kompleksit të banimit për të moshuarit u thanë prindërve të tyre se meqë shëndeti i tyre kishte rënë, ata duhet të jetonin në seksionin ku personeli kujdeset për ta. Por kjo ka edhe koston e vet prej disa mijëra dollarësh në muaj, përfshirë pagesën për dhomën, ushqimin dhe shërbime të tjera. Por Debbie Latimer thotë se megjithëse nëna dhe babai i saj kishin kursyer gjatë gjithë jetës, mund të vijë një moment që kursimet e tyre dhe fondi i sigurimev mund të marrin fund dhe ata nuk mund të jetojnë më në shtëpinë për të moshuarit. ”Kjo mund të ndodhë, prandaj unë dhe motra kemi vendosur që ata të jetojnë me të pasi ajo ka një shtëpi më të madhe dhe mund t’i mbajë ata për sa të kenë jetën”.

Për Debbie Latimer, si dhe për mijëra amerikanë të moshës së mesme që kanë prindër të moshuar, kujdesi për ta është një preokupim i madh dhe i vazhdueshëm, pavarësisht edhe kur ata i kanë kushtet që dikush tjetër të kujdeset për ta. //ii

XS
SM
MD
LG