Lidhje

Albanologët mblidhen në Prishtinë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën


Nën hijen e zhvillimeve politike, në Prishtinë po i zhvillon punimet Seminari Ndërkombëtarë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ku një numër i konsiderueshëm studiuesish nga vende të ndryshme të botës po japin ndihmesën e tyre në fushën e Albanologjisë. Ndonëse i paraparë si një tubim shkencor që në themelimin e tij më 1974, seminari ka vuajtur ndikimin e zhvillimeve politike.

Vesela Mançeva nga Bullgaria, gazetare e redaksisë në gjuhën shqipe në radion kombëtare bullgare, ishte nisur me shumë mëdyshje për në Prishtinë për të marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtarë të Gjuhës Letërsisë e Kulturës Shqiptare. Ky seminar I 26-ti me radhë, është shndërruar në një tubim të madh të albanologëve nga e gjithë bota. Disa syresh kanë krijuar tashmë përvojë disa vjeçare të pjesëmarrjes, ndonjë syresh si zonjusha Mançeva janë në Prishtinë për herë të parë.

“Unë të them të them të drejtën kisha pak frikë për të shkuar këtu. Miqtë e mi më kishin paralajmëruar të mos shkoj, sepse është e rrezikshme. Por unë ndjehem sikur të jem në shtëpi, njerëzit janë shumë simpatik, shumë të ngrohtë, me një qëndrim shumë të mirë ndaj të huajve dhe vërtetë ndjehem shumë bukur, sikur të jem në Bullgari, në Sofje”, thotë zonjusha Mançetova.

Vitta Massi, arbëreshe nga Sicilia është këtu për herë të katërt, për të nxënë më shumë dhe siç thotë me ndjenjën se po kërkon rrënjët e saj…

“E këtu mendonjë, kam ndjenjën sikur gjenjë rrënjët tona dhe më tërheq shumë kjo botë, Kosova. Seminari është për të mësuar më mirë gjuhën dhe për të studiuar kulturën etj”, thotë Vitta Massi.

Ajo shpreson shumë se situate politike në Kosovë do të jetë ndryshe në të ardhmen, një pyetje kjo që shpesh shtrohet nga pjesëmarrësit të cilët duan të dinë në c' rrethana politike do të vijnë herën tjetër në këtë seminar.

Bardh Rugova, sekretar profesional I seminarit, thotë se politika nuk ushtron ndonjë ndikim në rrjedhën e seminarit.

“Për shembull, Rusia është një nga kundërshtarët e mëdha të pavarësisë së Kosovës, ndërsa këtu në seminar kemi 12 albanologë pikërisht nga Rusia të cilët japin një kontribut të madh për albanologjinë si shkencë”, thotë zoti Rugova.

Sipas tij seminari po rrjedhën rrugës së traditës ku një numër i madh studiuesish po japin ndihmesën e tyre për albanologjinë në përgjithësi.

“Mendoj se deri këtu është duke e përmbushur atë misionin e vet elementar që e ka, pra të grumbullojë albanologët nga e gjithë bota në një vend dhe të mendoj për zhvillimin e albanologjisë në përgjithësi”, thotë zoti Rugova.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 dhe është mbajtur rregullisht deri në vitin 1991 kur është ndërprerë nga autoritetet serbe. Ne vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë, ndërsa nga viti 2000, Seminari është rikthyer në Prishtinë. Studiuesit e çmojnë atë si një ndër projektet më frytdhënëse për zhvillimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. //kk//

XS
SM
MD
LG