Lidhje

Më shumë amerikanë po mësojnë arabisht


Një studim i Shoqatës së Gjuhëve Moderne tregon se pas 11 shtatorit 2001, regjistrimi i studentëve në kurset e gjuhës arabe në universitetet amerikane është rritur ndjeshëm. Disa universitete kanë tani programe për mësimin e atyre gjuhëve që mendohet se janë të rëndësishme për të ardhmen e Amerikës. Korrespondenti ynë Mohamed Elshinnawi kaloi një ditë me studentët amerikanë që mësojnë arabisht në Universitetin e Merilendit për të parë se si dhe pse po e mësojnë ata këtë gjuhë.

Dikur, shumica e amerikanëve dinin pak për arabët dhe myslimanët. Dijet e tyre bazoheshin kryesisht te disa filma të Hollivudit apo te lajmet që shihin në televizion. Pak prej tyre dukeshin të interesuar për gjuhën arabe. Por gjithçka ndryshoi pas sulmeve terroriste të 2001-shit, thotë Alaa Elgebali, drejtor i programit të arabishtes në Universitetin e Merilendit. "U shtua kurioziteti për botën arabe dhe për botën myslimane, njerëzit donin të dinin se cilët janë ata, çfarë mendojnë. Dhe mësimi i gjuhës është natyrisht një mënyrë shumë e mirë për të njohur kulturën dhe mentalitetin arab, pra kjo ishte arësyeja kryesore. Një arësye tjetër është interesi gjeopolitik për këtë rajon. Por një pjesë e studentëve amerikanë e mësojnë arabishten për shkak të interesit për të gjetur vende pune të cilat janë të lidhura me sigurimin kombëtar të vendit."

Shoqata amerikane e Gjuhëve Moderne thotë se numri i studentëve të gjuhës arabe në universitetet amerikane është rritur nga 5 mijë që ishte para 11 shtatorit 2001, në 12 mijë. Tyler Golson vazhdon programin dy-vjeçar të mësimit të gjuhës arabe në Universitetin e Merilendit. "11 shtatori ishte një ngjarje e rëndë për mua dhe për familjen time dhe unë isha kurioz të dija se përse ndodhi. Unë nuk dija asgjë për botën arabe, nuk dija asgjë për Islamizmin prandaj zgjodha këtë gjuhë sapo u regjistrova në fakultet dhe pastaj rashë në dashuri me gjithçka që lidhej me këtë subjekt." Tyler mendon ta sahfrytëzojë arabishten për t’u bërë analist politik. Ai thotë se programi ku është regjistruar përdor televizionin stalitor arab për ta ekspozuar atë ndaj kulturave të ndryshme arabe në botë.

Instruktorja e gjuhës arabe Jihan Mansour shpjegon se si përdoret këtu media arabe për mësimin e gjuhës. "Kjo është diçka e re në programet e mësimit të arabishtes sepse mësimi bëhet duke shfrytëzuar median arabe. Materiali vjen nga buletinet e lajmeve, nga intervistat. Veç kësaj, ne ftojmë çdo javë folës të gjuhës arabe për t’u dhënë leksione studentëve duke përdorur dialekte të ndryshme, të Egjiptit, të Irakut apo të Sirisë."

Programi i mësimit të arabishtes ve në dispozicion të studentëve një bibliotekë të tërë me fjalorë, tekste, botime të ndryshme në arabisht si dhe filma në këtë gjuhë. Ja ç’thotë studenti Tyler Golson. "Arabishten nuk mund ta kuptosh shumë mirë nëse nuk di shumë për kulturën arabe. Kjo të ndihmon të kuptosh fjalët dhe përdorimin e tyre sepse fjalët në gjuhën arabe kanë ndikime të shumta kulturore dhe historike." Por Golson thotë se asgjë nuk është më e mirë se sa të shkosh vetë dhe të jetosh vetë në botën arabe. Këtë e konfirmon edhe shoku i tij i klasës Noah Bonsey. "Jetova për një simestër në Damask të Sirisë pranverën e kaluar. Ishte një përbvojë e mrekullueshme dhe kam mbajtur kontakte me shumë njerëz që takova atje me shpresën se do të shkoj përsëri në fund të kësaj vere." Programi i arabishtes përfshin udhëtime në Siri, Egjipt dhe Jordani për të praktikuar dialektet e ndryshme dhe për t’i ndihmuar studentët të thellojnë njohuritë mbi rajonin. //rd//

XS
SM
MD
LG