Lidhje

Reagime pas dorëheqjes së Prokurorit të Përgjithshëm, Alberto Gonzales


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Alberto Gonzales, i paraqiti dje Presidentit Bush dorëheqjen e tij, duke i dhënë fund një situate të acaruar midis presidentit dhe anëtarëve të Kongresit, të cilët i bënë thirrje atij të jepte dorëheqjen.

Zoti Gonzales nuk dha arsye për dorëheqjen e tij gjatë një paraqitjeje të shkurtër dje përpara gazetarëve. Demokratët në opozitë dhe disa republikanë e kanë kritikuar zotin Gonzales për mënyrën se si ai veproi për pushimin nga puna të 8 prokurorëve federalë.

Duke folur në Teksas, Presidenti Bush tha se me keqardhje ai e pranon dorëheqjen e zotit Gonzales. Ai e quajti zotin Gonzales njeri të ndershëm, të denjë dhe parimor. Presidenti tha se ndaj emrit të mirë të zotit Gonzales ishte hedhur baltë për arsye politike. Dorëheqja e Prokurorit të Përgjithshëm hyn në fuqi më 17 shtator.

Alberto Gonzales ka qenë për një kohë të gjatë një nga këshilltarët më të besuar të Presidentit Bush, në fillim gjatë kohës kur ai ishte Guvernator i shtetit të Teksasit dhe më vonë, si President. Në fillim, Gonzales shërbeu si një nga këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë, në pozicionin e juristit kryesor të Presidentit, deri sa ai mori konfirmimin, në vitin 2005, si Prokurori i parë i Përgjithshëm me origjinë nga Amerika Latine.

Në deklaratën e shkurtër të dorëheqjes, zoti Gonzales rikujtoi prejardhjen e tij si djalë i një emigranti meksikan, punëtor në bujqësi dhe e falenderoi Presidentin për mundësitë që ai i ka dhënë gjatë këtyre viteve.

“Unë shpesh u kujtoj bashkëqytetarëve tanë se ne jetojmë në vendin më të mirë të botës dhe se unë e jetova ëndrrën amerikane. Edhe ditët më të këqija që kam kaluar si Prokuror i Përgjithshëm, kanë qenë më të mira se ditët më të mira që ka patur babai im”.

Presidenti tha se e pranoi pa dëshirë dorëheqjen e zotit Gonzalez dhe u ankua se kritikët e Prokurorit të Përgjithshëm kanë hedhur baltë ndaj emrit të tij, për arsye politike.

“Pas muajsh të një trajtimi të padrejtë, që ka krijuar një situatë të dëmshme në Departamentin e Drejtësisë, Juristi Gonzales vendosi të japë dorëheqjen nga pozita e tij dhe unë e pranoj vendimin e tij”, - tha Presidenti.

Por, gjatë muajve të fundit, u bë e qartë se zoti Gonzales kishte humbur besimin dhe mbështetjen jo vetëm të demokratëve, por dhe të republikanëve në Kongres. Më shqetësuese për ligjvënësit ishte mënyra që zoti Gonzales përdori për të pushuar nga puna 8 prokurorë të Shteteve të Bashkuara në fund të vitit të kaluar.

Demokratët thanë se pushimet kishin motive politike, gjë që zoti Gonzales e mohoi. Por edhe republikanët e vunë në pikëpyetje besueshërinë e tij, pasi zoti Gonzales dëshmoi përpara Kongresit rreth pushimeve nga puna të prokurorëve. Një nga kritikët e tij ishte senatori republikani i shtetit të Ajova-s, Çarls Grasli.

“Ai bëri shumë gjëra të pamenduara. Në fund të fundit kjo vjen se ai kishte një komunikim jo të mirë me punonjësit e tjerë, sepse ai bëri veprime të gabuara, si pushimi nga puna i 8 prokurorëve, të cilët ndoshta nuk duhet të ishin pushuar dhe kjo e dobësoi pozicionin e tij”, - thotë Senatori Grasli.

Demokratët dhe disa ekspertë ligjorë, kritikuan gjithashtu zotin Gonzales për faktin, se e vuri besnikërinë ndaj Presidentit, mbi përgjegjësinë e tij për mbrojtjen e ligjit . Po ashtu, zoti Gonzales luajti një rol të rëndësishëm në argumentimin e strategjisë ligjore të Administartës së Presidentit Bush për luftën kundër terrorizmit, për të cilën ai u lavdërua nga disa republikanë.

Prokurori i Përgjithshëm mbështeti fuqimisht idenë e mundësisë së Presidentit për të zgjeruar autoritetin e zyrtarëve për të përgjuar komunikimet midis peronave të dyshuar për terroristë.

Gjithashtu, Gonzales hartoi rregullat për gjyqet ushtarake të përdoruara në gjykimin e të dyshuarve terroriste, të burgosur në bazën ushtarake amerikane të Guantanamo Bay-it, në Kubë. Kjo krijoi protesta të mbrojtësve të të drejtave të njeriut, të cilët thanë se administrata po shkelte kushtetutën e Shteteve të Bashkuara për të përndjekur të dyshuarit terroristë. Xhonathan Terli është profesor i juridikut në Universitetin George Washington.

“Zhgënjimi më i madh gjatë viteve të zotit Gonzales është se mund thuhej shumë më tepër për të, ngaqë krijoi një fakt historik, duke u bërë Prokurori i parë i Përgjithshëm me prejardhje hispanike. Gonzales ishte i prirur të shikonte ligjin si një mjet ose si një vegël për të arritur qëllime të tjera. Rezultatet ishin disa shkelje të jashtëzakonisht të mëdha të ligjeve ndërkombëtare dhe kushtetuese”.

Demokratët janë duke e paralajmëruar Presidentin që të ketë kujdes për zgjedhjen e kandidatit të ardhshëm për Prokuror të Përgjithshëm.

“Tani do të jetë mundësia e Shtëpisë së Bardhë që të zgjedhë një zëvendësus, i cili të jetë mbi të gjitha, një profesionist. Jo një partizan, jo një mik. Ndryshe nga rasti i fundit, ai duhet të zgjedhë njeriun më të mirë dhe jo shokun e tij më të mirë”, tha senatori demokrat nga shteti i Ner Yorku-ut, Çarls Shumer.

Gonzales është i dyti zyrtar i lartë i Presidentit Bush në javët e fundit, që shpall largimin nga administrata. Më parë, Këshilltari më i lartë politik për një kohë të gjatë, Karl Rove, gjithashtu deklaroi se ai do të largohet nga administrata në fund të këtij muaji.//lk

XS
SM
MD
LG